Pavarësisht iniciativave të nisura nga viti 2016 për digjitalizimin e IAL-ve si pjesë e punimeve për reformimin e arsimit të lartë në Shqipëri, situata e jashtëzakonshme e krijuar nga pandemia Covid-19 ishte nxitësja kryesore për nisjen e përdorimit të teknologjisë për qëllime mësimdhënëse në universitetet shqiptare. Megjithatë, eksperienca me mësimin online gjatë pandemisë ka shenjuar qasjen e studentëve shqiptarë lidhur me integrimin e mësimdhënies online ose të kombinuar në sistemin arsimor në vend. Gjetjet e pyetësorit të zhvilluar me studentë nga IAL-të publike dhe private në vend tregojnë se pavarësisht se ata janë të ndërgjegjshëm për përfitimet nga digjitalizimi i arsimit dhe i shërbimeve, ata mbeten skeptikë për efektivitetin dhe integrimin e formave të mësimdhënies digjitale në sistemin arsimor.
Në këtë dokument politikash sugjerohen një sërë rekomandimesh të cilat synojnë të kontribuojnë në integrimin e komponentit digjital në mënyrë më organike në proceset mësimdhënëse dhe administrative të IAL-ve publike.
Së pari, propozohet shtimi i dispozitave ligjore në Ligjin nr. 80/2015 “Për Arsimin e Lartë” në lidhje me arsimin digjital, si kushti bazë për t’i hapur rrugë realizimit të hapave të tjerë. Për sa i takon IAL-ve, rekomandohet zhvillimi i konsultimeve të studentëve për veçori që do ta bënin më të frytshme eksperiencën e tyre në faqet web dhe platformat e universitetit si dhe konsultime me pedagogët për të identifikuar nevojat e tyre për sa i takon zhvillimit të mësimit online dhe/ose hibrid nga eksperienca e përjetuar përgjatë pandemisë Covid-19. Në funksion të përmirësimit të eficiencës së aksesit të vërtetimeve të studentëve dhe listave të notave propozohet digjitalizimi i vulave të titullarëve si dhe përpjekjet për përqëndrimin e shërbimeve online (administrative dhe akademike) në një platformë të vetme, e cila në plan afatgjatë duhet të përshtatet edhe për ofrimin e mësimdhënies, testimit dhe vlerësimit online.
Dokumenti i plotë mund të aksesohet këtu.
Ky dokument politikash u zhvillua në kuadër të Fushatës “Nga Fjala Tek Veprimi”, pjesë e Edicionit IV të Debatit Universitar, Programi Kombëtar i Debatit Rinor për Zhvillim Social dhe Ekonomik të Shqipërisë, me mbështetjen financiare të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.