Marlin Muça —

Në nëntorin e vitin 2019, provinca e Hubei në Kinë, më konkretisht, qyteti i Wuhanit u përball me një valë misterioze gripi që shkaktonte pneumoni. Qysh prej nëntorit të vitit që lamë pas e deri në ditët e sotme, bota është ngërthyer nën thundrën e masave të rrepta të distancimit social. Këto masa kanë bllokuar prej dy muajsh veprimtarinë ekonomike në shumë vende të botës, duke lënë miliona të papunë dhe rrezikuar falimentimin e miliona biznesve të tjera që e lidhin aktivitetin e tyre posacërisht me lëvizjen e lirë të mallrave brenda apo jashtë vendit. Teksa kostoja ekonomike rritet, një luftë po kaq e egër politike ka nisur mes superfuqive aktuale për të hedhur fajet mbi shperthimin e më pas përhapjes së gjerë së COVID19 në pothuajse të gjitha kontinentet e botës. Kjo luftë, përvecse na tregon pak a shumë krizën e afërt politike në marrëdhëniet ndërkombëtare, nxjerr në pah dhe dallimet që vendet të cilat aplikojnë sisteme politike të ndryshme nga njëri tjetri, kanë shfaqur në trajtimin e përballimin e këtij virusi vdekjeprurës.
Sistemet totalitare në ndryshim nga demokracitë liberale kanë mundësinë të mobilizojnë resurse natyrore dhe njerëzore pa patur detyrimin për t`iu përmbajtur ligjit apo ndonjë procedure të caktuar. Në raste të tjera, ky privilegj i ka shërbyer diktaturave pë të kryer raprezalje të ashpra për qëllime të caktuara politike. Kina vuri në karantinë rajonë të tëra në territorin e saj, kreu kontrolle të imtësishmë duke shkelur liritë dhe të drejtat e njeriut. Si rrjedhojë e kësaj specifike që totalitarizmi ju mvesh qeverive, Shteti Kinez arriti në pak pak muaj të ndalte përhapjen e virusit brenda vendit dhe dalëngadalë t`i rikthehej normalitetit ekonomik e shoqëror. Kjo natyrisht, jo para se virusi të kapërcente kufijtë e saj, për të mbërritur fillimisht në shtetet aziatike e më pas ne Europë, SHBA e gjetkë.
Në kohën kur shtetet europiane filluan të raportonin rastet e para klinike me korona virus, epidemia kishte prekur një numër të lartë njerëzish, pavarësisht se shumica e tyre do ta kalonin virusin pa simptoma. Hallkat ligjore qe duheshin ezauruar, një opinion publik i vetëdijshëm për lirië e të drejtat e veta dhe frika për një recesion ekonomik vonoi miratimin e masave për parandalimin e virusit duke i hapur rrugë mijëra viktimave dhe një sistemi shëndetesor në prag kolapsi. Natyra demokratike e shteteve perëndimore u vë atyre përpara një sërë pengesash të një karakteri jo vetëm juridik por edhe politik. Masat e marra duhen miratuar në Parlament e atje patjetër që ka forca politike të cilat në rastin më të mirë vonojnë procesin legjislativ për të dhënë rekomandimet e saj lidhur me mënyren e përballjes me situatën e në rastin më të keq, forca të tjera politike që tentojnë të kapitalizojnë masat drakoniane që duhen të ndërmerren në periudha të tilla në emër të shëndetit dhe sigurisë publike. Kjo është e pamendueshme në një vend si Kina, e cila para pak muajsh zhvendosi në kampe përqëndrimi mbi një million ujgurë me pretekstin e luftës kundër terrorizmit. Pavarësisht qasjes së ekonomisë së tregut dhe modernizimit, Kina ruan një sistem politik monopartiak ku mendimi ndryshe dhe lëvizjet opozitariste dënohen me burg dhe me masa të tjera të ashpra dënimi.
Marrëdhënia me informacionin

Kina apo shtete të tjera si Irani, Korea e Veriut etj kanë mediat e tyre shtetërore të cilat informojnë publikun apo dhe botën e jashtme për zhvillimet e vendeve të tyre. Kur pacientet e parë me virus u hospitalizuan në provincën e Hubeit Kina refuzoi ndihmën e OBSH dhe nuk ngriti alarmin për një virus të ri, shumë ngjjitës dhe me efekte të rënda në shëndetin e të moshuarve apo njerëzve me komplikacione të tjera shëndetësore. Centralizimi mediatik i shoqëruar me terrin informativ mbi cështje që rrezikojnë pushtetin e brendshëm politik shkaktoi përhapjen e shpejtë të virusit jo vetëm brenda Kinës, por edhe jashtë saj. Nëse Kina si shteti i parë i prekur do të bënte transparente situatën me epideminë, masat do të merreshin më shpejt dhe sot nuk do të kishim një numër kaq të lartë të viktimave. Fshehja e informacioni nuk lidhet me qëllimin e mospërhapjes së panikut. Diktaturat fshehin ato informacione që mund të rrezikojnë pushtetin e tyre apo ndikimin e këtij pushteti në shoqëri.
Europa dhe SHBA janë një histori krejt tjetër. Në këto dy qëndra të mëdha politike të botës kemi të bejmë me gazetari agresive, media të pavarura nga pushteti të cilat anojnë më shumë kah së vërtetës. Natyrisht që edhe këtu kemi media që iu shërbejnë interesave privatë të pronarëve të mëdhenj, por këta pronarë të mëdhenj janë kaq shumë sa është e pamundur që të gjithë këta të fundit të rreshtohen symbyllazi me pushtetin. Diversiteti i burimeve të informimit i mban njerëzit të informuar dhe më pranë së vërtetës. Përhapja e pandemisë mbikëqyret live nga të gjitha mediat e botës së lirë duke mos lënë dyshime se të dhënat manipulohen apo mbi shkallën e përhapjes së virusit. Transparenca garanton realizmin e trajtimit të virusit në popullsi dhe mbajtjen e qeverisë përgjegjëse për cdo paaftesi apo papërgjegjshmëri në lidhje me situatën.
Sa i përket Shqipërisë, edhe kësaj here ajo përfitoi nga rasti për të treguar se nuk i përket as Lindjes as Perëndimit. Dyshimet se virusi ka qarkulluar që në shkurt u kthyen në hipoteza të forta kur zyrtarë të lartë të Institutit të Shëndetit Publik pohuan se ka gjasa se epidemia ka hyrë më herët se data zyrtare e shpalljes së saj nga institucionet shtetërore. Fshehtësia me të cilën bëhen tesimet, nr i pakët i tyre dhe mosraportimi i rasteve të para të shkurtit shkrin eksperiencën e autokracisë kineze me menaxhimin gjoja europian të krizës, të mbushur me spote televizive një spektakel mediatik cdo mbrëmje dhe postera gjoja motivues në rrugët e Tiranes. Shqipëria vazhdon të mbetet një karikaturë e keqe në mesin e dy qytetërimeve, fisk si pantallonat e arnuara një mijë herë të kohës së Enverit.
Pasoja

Trajtimi dhë përballimi i virusit nuk mund të kufizohet vetëm te nr i viktimave të secilit vend. Padyshim që numri i pakët i viktimave është një tregues pozitiv për situatën, por masat e marra kundër pandemisë përbëjnë një proces që ndikon në shumë faktorë përvec jetës së njerëzve dhe pa diskutim që nxjerr në pah një miriadë të tëre problematikash të pazbuluara apo të lëna në hije më parë.
Italia e ka kaluar nr zyrtar të viktimave të Kinës, por askush nuk e di nëse shifrat e dhëna nga Qeveria Kineze janë autentike. Në mungese së një media të pavarur dhe ndalimi i mediave apo autoriteteve botërore për të raportuar situatën nga atje vë në pikpëpyetje të thellë gjithë efektshmërinë e bllokimit. Në një botë globaliste, të lidhur nga vektorë të ndryshëm ekonomikë dhe lëvizjes së lirë të njerëzve, pasojat e veprimeve ose mosvprimeve të një vendi ndikojnë dhe tek vendet e tjera. Ndaj dhe masat e rrepta të marra nga autoritetet kineze nuk na sigurojnë për shifrat reale të viktimave. Mungesa e shkëmbimit të informacionit me OBSH dhe partnerë të tjerë solli përhapjen e shpejtë të epidemisë në pjesën tjetër të botës duke shkaktuar mijëra viktima dhe miliarda euro dëme.
Shtetet demokratike mund të kenë patur probleme me miratimin apo implementimin e masave të karantinës bashkë me mbingarkesën e spitaleve. Mirëpo kjo nuk është pasojë e veprimeve të qëllimshme e as manovrave për të fshehur situatën. Vende si Korea e Jugut apo Tajvani ia dolën me sukses ta mundnin virusin për shkak të zhvillimin ekonomik, teknologjik si dhe mireqënies së qytetarëve. Shtetet perëndimore po dalin nga kriza duke propozuar paketa miliarda eurosh ndihmë për qytetarët e prekur nga kufizimet ekonomike. Ndërkohë Kina asnjëherë nuk i ka kushtuar rëndësi fuqizimit ekonomik të individit për shkak të modelit kolektiv që ajo ndjek në ndërtimin e marrëdhënieve shoqërore. Shanset janë që ekonomia vendasve kineze të pësojë goditje të fortë duke ulur rritjen ekonomike dhe duke përkeqësuar njëkohësisht situatën ekonomike të familjeve e njerëzve të thjeshtë.
Ajo cfarë po jetojmë sot si dhe ajo cfarë do të ndodhë neser do të vërtetojë se demokracia liberale është parakushti kryesor i një sistemi që garanton mirëqënien, sigurinë dhe shëndetin e të gjithëve. Diktaturat mund t`i fshehin dobësitë e tyre, mund të heshtin njerëzit që denoncojnë por herët apo vonë kriza do t`i gërrejë përbrenda derisa e vërteta të dalë e plotë sy botës. Korona Virus është Cernobili Kinez