Nga Eranda Zorba-Studente Debatuese FSHS

Mendimi kritik është një kusht i domosdoshëm për të krijuar qytetarin e pavarur që imagjinojmë në një demokraci të vërtetë. Ai është si një fëmijë i vogël që vazhdimisht bën pyetje, kërkon, vëzhgon, eksperimenton, çon në përfundime të ndryshme dhe mëson përmes tyre. Fjalë për fjalë, ai nuk qëndron kurrë i heshtur. Me mendimin kritik dallojmë të rëndësishmen nga e parëndësishme, të bukurën nga e shëmtuara, të mirën nga e keqja, të drejtën nga e padrejta.

Sipas Albert Einstein edukimi nuk është mësimi i ngjarjeve por stërvitja e trurit për të menduar. Mendimi kritik çon në emancipim dhe autonomi, pra në formimin e qytetarëve të lirë dhe të përgjegjshëm. Ashtu si zgjedhjet e lira dhe të ndershme, mendimi kritik është thelbësor për një demokraci të shëndetshme. Nëse votuesit duan të marrin vendime të mençura, ata duhet të jenë të gatshëm dhe të aftë të mendojnë në mënyrë kritike. Kur humbasin aftësitë e të menduarit kritik, qytetarët manipulohen lehtësisht nga elitat politike, votuesit bëhen të cenueshëm ndaj keqinformimit, njerëzit vuajnë dhe demokracia vdes.

Demokracitë jetojnë dhe vdesin nga aftësia e njerëzve për të aksesuar informacionin dhe për t’u përfshirë në diskutime konstruktive të bazuara në fakte. Kjo është arsyeja pse është thelbësore që sistemi arsimor të ketë në qendër mendimin kritik, analizimin e të dhënave dhe vendosjen në pikëpyetje të fenomeneve dhe ngjarjeve. Nëse duam një shoqëri me udhëheqës, shkencëtarë, zyrtarë publikë, shkrimtarë, njerëz të biznesit, mësues madje edhe votues të informuar duhet të nxisim kultivimin e mendimit kritik.

Në mënyrë ideale, demokracia është qeverisje nga populli, për popullin. Ne si popull jemi të ngarkuar të zgjedhim zyrtarë për të përfaqësuar nevojat dhe interesat tona, dhe nëse nuk na pëlqen mënyra se si ata qeverisin, ne kemi fuqinë dhe përgjegjësinë t’i përjashtojmë ata përmes votës. Si qytetarë jemi përgjegjës për vlerësimin e ligjeve dhe politikave që propozojnë dhe votojnë zyrtarët tanë të zgjedhur dhe të emëruar. Dhe për ta bërë këtë mire nevojitet një qytetari e informuar dhe e aftë për të vlerësuar në mënyrë kritike argumentet, pro dhe kundër, që kanë të bëjnë me ligjet dhe politikat në fjalë.

Vlera e të menduarit kritik nuk ndalet vetëm tek interesat personale. Ne nuk jemi ishuj të izoluar, pasi jetojmë në komunitet me njerëz të tjerë dhe këto komunitete formojnë një shoqëri me institucione dhe qeveri që janë krijuar për t’i shërbyer nevojave të njerëzve. Nuk është për t’u habitur që në shoqëritë antidemokratike mendimi kritik nuk vlerësohet. Ai do të kontrollohet ose shtypet nëse shihet se njerëzit vënë në dyshim themelet e rendit shoqëror të vendosur. George Orwell shkroi për këtë në esetë dhe romanet e tij. Sokrati u dënua me vdekje sepse bëri pyetje që sfidonin botëkuptimin e autoriteteve të vendosura të asaj kohe.

Pretendimi im nuk është se të menduarit kritik do të fshijë me magji shtypjen dhe padrejtësinë njerëzore. Pretendimi im është se është më e vështirë t’i lihet shteg ngritjes krye te regjimeve antidemokratike ne shoqëri ku respektohet mendimi kritik. Pra, në masën që ne kujdesemi për lirinë, barazinë dhe drejtësinë dhe idealet e qeverisjes demokratike duhet të kujdesemi edhe për mendimin kritik.

A kemi detyrë të kultivojmë aftësitë tona të të menduarit kritik? Sigurisht që nuk është një detyrë ligjore. Ne nuk mund t’i kërkojmë ligjërisht askujt të studiojë logjikën dhe argumentimin, më shumë sesa mund t’u kërkojmë ligjërisht njerëzve të votojnë ditën e zgjedhjeve. Por është e besueshme të mendosh se ne kemi ende një lloj detyre morale për të votuar. Sistemi thjesht nuk funksionon siç duhet nëse nuk ne nuk marrin pjesë. E njëjta gjë është e vërtetë me aftësitë e të menduarit kritik. Sistemi thjesht nuk funksionon siç duhet nëse mjaft prej nesh nuk përballen me sfidën për të qëndruar të informuar dhe për të menduar në mënyrë kritike për çështjet që kanë rëndësi jetike.

Sipas Platonit “njeriu lind skllav dhe clirohet nëpërmjet arsimit”, ndaj zgjidhja që unë propozoj është që nxitja e mendimit kritik të vendoset lart në listën e objektivave të politikave arsimore.