Debati Universitar për Integrimin u zhvillua në datë 17 Dhjetor në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, duke çelur kështu serinë e debateve universitare në Tiranë dhe Durrës në kuadër të projektit “Laboratori i debatit mbi integrimin europian në auditoret universitare” të mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë dhe të zbatuar nga Qendra “Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim” (SCiDEV). Ky aktivitet vjen si një sinergji mes këtij projekti dhe projekti “Të rinjtë drejt Europës”, mbështetur nga fondet IPA të Bashkimit Europian.
Debati u organizua edhe si një takim i hapur me pjesëmarrjen e studentëve dhe pedagogëve të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë si edhe pjesëmarrësve nga institucionet e tjera universitare të projektit. “Aftësimi i studentëve dhe kërkuesve të rinj për të debatuar rreth integrimit Europian është një nevojë e qartë si për procesin e integrimit nëpër të cilin po kalon vendi, por edhe për zhvillimin e mëtejshëm të rolit të universitetit dhe rritjes së ndërgjegjësimit qytetar dhe pjesëmarrjes së të rinjve në procese strategjike në vendit”,u shpreh themeluesi i UMSH-së, Akademik Prof.Dr Anastas Angjeli. Dr. Blerjana Bino, menaxhere e projektit u fokusua mbi rëndësinë e kulturës së debatit dhe sesi projekti gjallëron atë, sidomos për një çështje si integrimi Europian që përbën një prioritet kombëtar. Për më tepër, ajo shpjegoi edhe mënyrën sesi do të organizohet turnamenti i debatit dhe sesi po bashkëpunohet me OSFA për të ndërtuar sinergji me iniciativa të ngjashme.Debati i parë u fokusua në temën ‘Migrimi dhe Integrimi Europian’ dhe Dr. Kriton Kuçi, mentori i dy skuadrave, kishte punuar ngushtë me studentët në përgatitjen e tezave të tyre dhe sidomos në thellësinë e argumentit. Studentët theksuan nevojën për një shoqëri europiane të hapur dhe gjithëpërfshirëse duke dakordësuar për emigracionin si një mënyrë për të rigjeneruar shoqëritë europiane në plakje, por paraqitën plane të ndryshme për mënyrën sesi duhet adresuar emigracioni dhe për impaktin që ka në Europë.
Juria përbëhej nga Prof. As. Dr. Nevila Xhindi, Dr. Kriton Kuçi dhe Znj. Lutjona Lula. Pas një debati shumë cilësor, skuadra fituese u shpall skuadra e pozicionit pro. SCiDEV komplimenton për përgatitjen, seriozitetin dhe pasionin të dy skuadrat.
Për agendën Klikoni këtu.