Projekti ‘Laboratori i debatit mbi Integrimin Europian në Auditoret Universitare’, zhvilloi ditën e hënë, 03 Shkurt 2020 trajnimin e studentëve të Fakultetit të Shkencave Sociale për formatin dhe tematikat e debatit. Prof. Klodiana Beshku mundësoi trajnimin e studentëve lidhur me formatin e debatit dhe u ndal në temat që do të trajtohen në debatin universitar në Fakultetin e Shkencave Sociale:
- Integrimi europian thellon dhe përmirëson demokracinë në Shqipërisë.
- Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian rrezikon të ardhmen e produkteve dhe shërbimeve vendase.
- Anëtarësimi në Bashkimin Europian sjell zhvillim ekonomik për vendin.
- Lëvizja e lirë në Bashkimin Europian për të jetuar, për tu arsimuar dhe për të punuar do të shkaktojë krizë demografike në Shqipëri.
- E ardhmja e Bashkimit Europian është zgjerimi, jo thellimi.
U prezantua formati i debatit si një ndërthurje midis Cross-Examination dhe Karl Popper duke i ofruar studentëve mundësinë të përdorin analizë kritike dhe logjikë të fortë pro dhe kundra për tematika e trajtuara. Studentët pjesëmarrës studiojnë në nivelin Bachelor Shkenca Politike dhe nivelin Master në programet Studime Rajonale Politike dhe Administrim i Shërbimeve Sociale. Ata shfaqën interes dhe motivim për tu angazhuar në debatin universitar për integrimin.
Qëllimi i projektit është të përforcojë njohuritë dhe të zhvillojë analizën kritike të komunitetit të studentëve e kërkuesve të rinj lidhur me Integrimin Europian dhe ndikimin shumëdimensional të tij në Shqipëri. Ky projekt mbështetet nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Shqipëri (OSFA) dhe zbatohet nga Qendra për Shkencë, Zhvillim dhe Inovacion (SCiDEV).