Esmeralda Shehaj, Ph.D —

 

Ka dy jave që të gjithë jemi izoluar në banesat tona për shkak të pandemisë, dhe pas shqetësimit madhor për shëndetin, shqetësimi më i madh për shumë prej nesh është të gjejmë mënyra për të kaluar kohën pa ndier, e pa rënë në depresion, frikë e ankth për shkak të informacioneve të shumta mbi situatën. Ndërkaq, nga ana e drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë, ka një shqetësim të shtuar në lidhje me rifillimin e procesit të mësimdhënies online. Rrihen mendime dhe debatohet në lidhje me funksionimin, mundësitë, interesin, testimet, avantazhet e disavantazhet. Edhe aktivitetet e projektit për Debatin Universitar për Integrimin janë ndërprerë prej dy javësh, e si një alternativë ka lindur ideja e kryerjes së një konkursi të debatit online. Po sa e bëshme është kjo?

Qëllimi i këtij konkursi debati është kryesisht të stimulojë tek studentët aftësitë e të menduarit kritik, artikulimit, reflektimit, ndërveprimit, fleksibilitetit, të folurit në publik dhe të krijimit të pikëpamjeve të tyre në lidhje me Integrimin Evropian.  Skuadrat e debatit universitar përbëhen nga katër anëtarë secila. Anëtarët e skuadrës do të duhet të debatojnë mbi një temë të caktuar, e cila do të hidhet me short, duke mbajtur qëndrime pro e kundër, gjithashtu të hedhur me short.  Debati është i formatuar, rradha folësve për dhënien e argumenteve/kundërargumenteve dhe koha në dispozicion për ta është e specifikuar, si brenda skuadrës dhe ndërmjet skuadrave. Pra, debati është i formatuar dhe ky format lejon motivimin e kolegëve të të njëjtës skuadër, punën në grup, si dhe zhvillimin dhe thellimin e ideve dhe argumentave.

Po si mund të transformohet ky format në një debat online në kushtet e reja? A mundemi që ta shfrytëzojmë këtë situatë për të dizenjuar një format efektiv të debatit online, efektiv në kuptimin që të mundësonte arritjen e qëllimeve të njëjta apo të ngjashme me një debat që zhvillohet në kushtet e pranisë fizike të pjesëmarrësve në një mjedis të përshtatshëm?

Dy janë format e debatit online. E para është ajo me video-konferencë. Në aplikimin e kësaj forme, studentët aksesojnë një aplikacion të caktuar online në të njëjtën kohë. Studentët duhet të kenë të hapura kamerat dhe mikrofonët. Duke lënë mënjanë pajisjet që mundësojnë këtë lidhje dhe disponueshmërinë e tyre nga ana e studentëve, kufizimi kryesor për aplikimin e tij në kushtet e tanishme mbetet të jetë mungesa e një bashkëpunimi në grup, si një skuadër. Anëtarët e skuadrës nuk do të mund të jenë së bashku në një mjedis të përshtatshëm. Pavarësisht se rolet dhe rradha e dhënies së argumenteve është e përcaktuar në secilën skuadër, studentët nuk do të mund të bashkëveprojnë, të ushqejnë folësin e rradhës me argumente, të shkëmbejnë ide, e të marrin vendime për reagimin. Sigurisht, që një pjesë e mirë e argumenteve janë të parapërgatitur, por si do të mund të japin kundërargumenta për argumentat e skuadrës kundërshtare pa diskutuar mes tyre!? Përveç kësaj, strategjitë e ekipeve për përgatitjen mund të jenë të ndryshme. Supozojmë se një skuadër ka vendosur që secili prej anëtarëve të lexojë gjithë materialet bazë, dhe secili prej anëtarëve të specializohet në një apo dy prej temave. A nuk do të ishte e vështirë, që në mungesë të komunikimit me njëri-tjetrin gjatë zhvillimit të debatit me video-konferencë, studenti me njohuri më të mira për temën të furnizojë folësin e rradhës (i cili është i përcaktuar) me argumenta dhe statistika në kohë dhe në mënyrë efektive? Reagimi i duhur, i shpejtë, përzgjedhja e statistikave të duhura dhe argumentave më të mire mbështetës, është një nga elementët bazë të këtij debati. Në përfundim të kohës së kufizuar e të shkurtër për të përmbledhur argumentat më të mirë, rezultati mund të jetë përzgjedhja e argumentave nën diskrecionin dhe njohuritë e folësit të rradhës, jo të skuadrës. Po lideri, si do ta kryejë funksionin e tij në këtë rast?

Në rast se supozohet që studentët do të përgatiten njësoj si të ishim në kushte normale, një supozim ky i dyshueshëm në kushtet e kufizimit të lëvvizjeve dhe distancimit social ciladoqoftë forma e debatit, gjasat që debati me video-konferencë të mos arrijë një pjesë të mirë të objektivave të tij janë të larta. Në rastin më të mirë, studentët do të përgatiten me seriozitet dhe do të studiojnë në thellësi temat e debatit dhe do të kenë përgatitur më së miri argumentat pro e kundër. Ndërkaq, të folurit në publik, reflektimi, puna në grup, bashkëveprimi, reagimi, artikulimi i kundërargumentave, do të jenë të cunguar.

Alternativa e dytë është ajo e një debati online me shkrim. Sigurisht, që në këtë rast ka nevojë për një “riformatim” të rregullave. Për shembull, nëse një folës duhet të japë argumentat e tij brenda një kohe prej dy minutash, kur argumentat jepen me shkrim, do të duhet të vendoset një limit fjalësh. Koha e përgjigjes duhet gjithshtu të ndryshojë. Për shembull, nëse në debatin me prani fizike, skuadra duhet të japë argumentat/kundërargumentat pas një konsultimi apo kohe përgatitore prej dy minutash, në debatin me shkrim, kjo mund të përkthehet në një reagim, të themi, pas dy orësh.  Po le të supozojmë se do të duhet një ditë. Në këtë formë alternative të debatit, përveç aftësive të përmendura më sipër, studentët do të përmirësonin edhe aftësinë e të shkruarit. Dhe kosto në këtë rast do të ishte mungesa e reagimit të shpejtë, gjetjes shpejt të (kundër)argumenteve dhe statistikave mbështetëse të tyre. Nga ana tjetër, një reagim i tillë, edhe pse i vonuar në kohë, pritet të jetë më i thellë. Kufizim i fortë mbetet koha, pasi në një format të tillë studentët do të duhet t’i kushtojnë më shumë kohë këtij aktiviteti. E nëse këto parashtrime qëndrojnë, një debat me shkrim është, për mendimin tim, një formë alternative me më shumë përfitime, e më pranë arritjes së objektivave të projektit.

Mbi të gjitha, duhet patur parasysh që të gjitha këto bazohen në supozimin se studentët, të cilët vendosën të merrnin pjesë në një konkurs me pjesëmarrjen e tyre fizike, do të jenë dakord të marrin pjesë në një konkurs online. Këtu testohet prirja e tyre për të përqafuar ndryshimin në kohën e distancimit social. Por, cilado qoftë forma e preferuar e debatit online, duhet të kemi parasysh se zhvendosja drejt debatit online do të gjenerojë debate të reja mes studentëve dhe mentorëve për të marrë një vendim të përbashkët, për të zgjedhur një formë të debatit online, për të vendosur rregulla të reja, afate të reja. Pra, do të duhet të përgatitemi për sfida të reja, të cilat duhet të gjejnë zgjidhje në kushtet e distancimit social, dhe që me shumë gjasa do të qëndrojnë me ne, për të riformëzuar në afatgjatë konceptet dhe përceptimin tonë mbi debatin dhe mësimdhënien online.