Projekti ‘Laboratori i debatit mbi Integrimin Europian në Auditoret Universitare’, zhvilloi ditën e enjte, 30 janar 2020 trajnimin e përbashkët të 16 studentëve të Universitetit Aleksander Moisiu, në Fakultetin e Ekonomisë si dhe në Fakulteti e Shkencave Politike Juridike për formatin dhe tematikat e debatit. Prof. Dr. Eldian Balla dhe Prof. Dr. Elda Zotaj mundësuan trajnimin e studentëve lidhur me formatin e debatit dhe u ndalen në temat që do të trajtohen në debatin universitar në UAMD:
- Integrimi europian thellon dhe përmirëson demokracinë në Shqipërisë.
- Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian rrezikon të ardhmen e produkteve dhe shërbimeve vendase.
- Anëtarësimi në Bashkimin Europian sjell zhvillim ekonomik për vendin.
- Lëvizja e lirë në Bashkimin Europian për të jetuar, për tu arsimuar dhe për të punuar do të shkaktojë krizë demografike në Shqipëri.
- E ardhmja e Bashkimit Europian është zgjerimi, jo thellimi.
U prezantua formati i debatit si një ndërthurje midis Cross-Examination dhe Karl Popper duke i ofruar studentëve mundësinë të përdorin analizë kritike dhe logjikë të fortë pro dhe kundra për tematika me rëndësi. Studentët pjesëmarrës studiojnë në programin Bachelor Marrëdhënie me Publikun, Menaxhim Marketing dhe Financë. Ata shfaqën interes dhe motivim për tu angazhuar me debatin universitar për integrimin.
Qëllimi i projektit është të përforcojë njohuritë dhe të zhvillojë analizën kritike të komunitetit të studentëve e kërkuesve të rinj lidhur me Integrimin Europian dhe ndikimin shumëdimensional të tij në Shqipëri. Ky projekt mbështetet nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Shqipëri (OSFA) dhe zbatohet nga Qedra për Shkencë, Zhvillim dhe Inovacion (SCiDEV).