Prof. Asoc. Dr. Nevila Xhindi —
Një aspekt i rëndësishëm i realizimit të debatit me studentët është edhe puna në grup. Të gjitha debatet fillojnë me një temë dhe padiskutim me krijimin e dy grupeve debatuese, ku njëri grup do të argumentojë dhe një tjetër do të kundërshtojë. Për trainerët e debateve apo edhe për pedagogët në auditore, pika e parë e rëndësishme në krijimin e grupeve është dinamika e grupit, puna e tyre si një “team”, ku ndarja e detyrave dhe përgjegjësia janë fillesat e një pune për realizimin e një debati që vlen.
Puna në grup e bën përgatitjen për debatin më efikas dhe argëtues, si dhe jep mundësinë të mësojmë shumë nga njëri-tjetri. Ka shumë përfitime nga analizimi, diskutimi dhe eksplorimi i ideve dhe sidomos nga shqyrtimi i pyetjeve dhe përfitimi i komenteve nga njëri tjetri. Ndarja e detyrave, por edhe diskutimi i tyre në grup lejon unifikimin e ideve dhe përvijon qëndrimin ndaj çështjes që do debatohet, jo vetëm në këndvështrimin individual, por edhe nga këndvështrime të ndryshme. Në një situatë efektive të punës në grup, realizohen hulumtime që nuk mund të behen nga një individ. Puna në grup jep mundësinë e kombinimit të një larmie aftësish dhe ekspertize për të trajtuar probleme më komplekse dhe më të mëdha sesa vetëm një individ do bënte. Kjo aftësi bëhet edhe më e rëndësishme nëse jemi duke punuar në një kornizë të kufizuar kohore, sepse puna në grup na lejon realizimin në një kohë më të shpejtë bërjen e analizave në një thellësi dhe gjerësi më të madhe sesa nëse do të punonim individualisht.
Një punë efektive në grup së bashku për të përfunduar një detyrë në një kohë të caktuar, ndihmon që secili anëtar të kontribuojë në ekip sipas aftësive, përvojës dhe personalitetit të tij. Puna në grup jep një mundësi për t’u njohur më mirë me njëri-tjetrin dhe për të zhvilluar aftësi aq të nevojshme për suksesin e debatit. si p.sh. komunikim efektiv, bashkëpunim, kujdes, mendim kritik- konstuktiv, udhëheqje/roli i liderit, delegim, mirënjohje, respekt për mendimin ndryshe etj.
Unë dua të ndaj me kolegët e mi që po përgatisin debatet, por edhe grupet e studentëve, disa mësime të nxjerra nga puna në grup për realizimin e debatit me studentët e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë në kuadrin e projektit “ Debati Universitar mbi Integrimin: realizuar nga SCiDEV me mbështetjen e OSFA. Mësimet e nxjerra do tu ndihmojnë të realizoni një debat të sukseshshëm.
Debati është një projekt grupi për të arritur një detyrë, dhe që të jetë i sukseshmëm, ka faza të ndryshme përmes të cilave duhet kaluar. Planifikimi është thelbësor për punën efektive në grup dhe do t’ju japë drejtim dhe ndihmë për të koordinuar punën tuaj në mënyrë që të përfundoni me efikasitet detyrat për debatin e sukseshmëm.
Para së gjithash është e rëndësishme të krijoni një seri udhëzimesh në grup. Njihuni me anëtarët në grupin tuaj, pikat e tyre të forta dhe mënyrat e preferuara të punës. Mundohuni të kuptoni se të gjithë kanë një mendim dhe se individët kanë metoda të ndryshme të të punuarit dhe të mësuarit.
Këshillohet të caktoni një drejtues të grupit dhe gjithashtu një shkrues për të regjistruar aktivitetet e grupit. Diskutoni për temëm e dabatit me grupin për të arritur një mirëkuptim të përbashkët. Përmblidhni kuptimin e përbashkët të problemit në një tabelë ose në një copë letër dhe diskutoni se si do t’i afroheni problemit. Metoda brainstorming është ideale për të krijuar ide, plane dhe detyra për grupin tuaj. Të gjithë duhet të përfshihen në diskutime dhe të bien dakort se çfarë drejtimi po merr grupi dhe pse.
Vendosni detyrat specifike dhe shpërndajini ato për individë ose nëngrupe. Ndarja e detyrave me nëntema më të vogla mund të jetë më e qartë dhe më efikase. Është e rëndësishme që grupi të jetë i qartë, të qartë detyrat e secilit dhe për të parandaluar përsëritjen dhe punët dysfishe, dhe padiskutim vini afate që secili anëtar i grupit të ketë përgjegjësi. Pasi të keni vendosur për detyrat dhe rolet tuaja, është thelbësore që të organizoni takime të rregullta( tashmë online) për të rishikuar përparimin tuaj dhe të vendosni se në cilën drejtim duhet të marrë puna juaj. Secili anëtar duhet të marrë pjesë në këto takime. Vendosni data për përfundimin e detyrave specifike…dhe jam e sigurtë gjithcka do realizohet e do keni sukses!
Në fakt dua të bëj edhe disa përgjithësimë mbi vlerën e përfshirjen e studentëve në punën në grup. Puna në grup ka të ngjarë të bëhet një aspekt i rëndësishëm i jetës suaj të punës. Thelbësore për punën efektive në grup është dinamika e grupeve, dhe praktikimi i punës në grup mund të ju ndihmojë kuptoni vlerën e faktorëve të ndryshëm që zbatohen në një skenar të bazuar në grup (p.sh. rolet në grup, komunikimi, delegimi).
Puna në grup po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për strukturën organizative të vendit të punës. Sot, puna në ekip/grup është një kërkesë absolutisht thelbësore në kriteret e rekrutimit të të diplomuarve. Përgatitja, apo avancimi i punës në grup gjatë jetës studentore, do ti përgatisë studentët që të jenë menjëherë të dobishëm për punëdhënësit. Shumë kompani kërkojnë që detyrat të realizohen në ekipe dhe me ekipe që funksionojnë në maksimum të aftësive të tyre. Në biznese, sipërmarrje, industri përvoja ka treguar që problemet zgjidhen nga puna në grup dhe inovacionet kanë shansin më të mirë të suksesit nëse zbatohen nga ekipe multidisiplinare.