Tea Hodaj, Universiteti Epoka – 

 

Së pari, gjej rastin të uroj çdo student për përzgjedhjen dhe pjesëmarrjen në debatin universitar për integrimin të organizuar nga SCiDEV me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Uroj që kjo platformë të jetë e frytshme për ju, për ne dhe për këdo që ka bërë të mundur këtë bashkësi!

Ka ardhur koha të debatojmë dhe të flasim për debatin. Le të largohemi pakëz nga teoritë, përkufizimet, historikun dhe le t’i afrohemi përditshmërisë sonë. Kjo pasi duhet të kuptojmë se përse ne flasim, ndajmë mendime dhe debatojmë. Duke dashur t’i shkojmë sa më afër të përditshmes, detyra jonë më e vështirë do të jetë mos prekja me ‘të shëmtuarën e bashkëbisedimit’. Prandaj, në momentin që do të përballim këtë ‘të shëmtuar’, do të tërhiqemi dhe do ta shqyrtojmë nga larg.

Arti i të folurit dhe ai i të debatuarit në mënyre të saktë mbeten virtyte të pakëta në shoqëri. Qëndrojnë larg arsimit bazë, sferës politike, programeve mediatike, fqinjësisë e kështu me rradhë. Me keqardhje le të pranojmë pa humbur kohë se ‘e shëmtuara e bashkëbisedimit’ mbizotëron dhe domosdoshmëria e përditshmërisë na afron me të. Rrjedhimisht, debati rëndom përdoret si përleshje e mendimeve të kundërta në një formë të pastrukturuar dhe jo të frytshme. Njerëzit debatojnë duke humbur energjinë pozitive, e kështu tejmbushen me atë negative. Mund të themi se, një debat i shkuar keq ngjason me çfarë Hobbes do të përshkruantë si ‘njerëzore’, dhe Hobbes hiperbolizonte anët negative të njeriut. Por siç e kam thënë dhe më parë, le të mos humbasim shumë kohë me të ‘shëmtuarën’ dhe le të kalojmë te ajo çfarë është shkruar në titull.

 

Duhet të jesh i/e mënçur që të vlerësosh debatin në thelbin e tij. Për më tepër, duhet të jesh akoma më i/e mënçur që të gjëmosh pas një debati të mirë e të vlefshëm. Një njeri i mënçur kupton se debati të ndihmon tç vetëkontrollosh mendimet; të ndash të vërtetën nga e gabuara; të zëvëndësosh mendime që prej kohësh i dije të sakta, por dikush sapo të provoi të kundërtën; të pasurosh dije kur mendon se di gjithçka dhe mbi të gjitha, të mirëpresësh mendimet dukshëm të gabuara pa mëndjengushtësi.

Debati është rregullator i brëndshëm jo vetëm i vetëkontrollit, por ai shërben si një filtrim dhe rafinim i të menduarit kritik. Dikush duhet të jetë në kërkim të vetëpërsosmërisë që të gjëmojë pas një debati të mirë. Jo vetëm kaq, debati është shenjues i një kulture të përgjithshme: të mos të nënvlerësuarit, të mos të të poshtëruarit dhe të mos të të ofenduarit.

Një njeri i fuqishëm punon në kanalizimin e mendimit të tij. Duhet punë e vazhdueshme dhe përplasje me mendime të ndryshme që kanalet e të menduarit të drejtohen nga ‘perfeksioni’. Por do të ishte e kundërta e mëncurisë nëse mendon se ‘mendimi perfekt/absolut’ ekziston, kjo do të shkatërronte çdo urë lidhëse. Debati kthehet në ‘armë’ të fuqishme kur pranon se mendimi yt është i pasaktë, jo i vërtëtë ose i pavlefshëm. Në këtë mënyrë, debati të shërben si sfungjer thithës ndaj një larmishmërie të pafundme informacioni dhe idesh. Këtu duhet patjetër etja për të mësuar e zbuluar. Shpesh kam përsëritur dhe do vazhdoj ta bëj në këto faza përgatitore se, hapi i parë është vetëdentifikimi i pikave tona të forta dhe atyre të dobëta. Kjo do të na sjelli siguri diku dhe entuziasëm për të mësuar diku tjetër.

Edhe njëherë, uroj që gjithësecili t’a shijojë pjesëmarrjen sa më shumë!