Dr. Meljana Bregu, 

Proçesi i integrimit është shumë i debatuar në auditorët shqiptare por studentët në përgjithësi nuk debatojnë rreth fakteve por mbi opinione personale ose opinione të dëgjuara në media. Vështirësia e një debati të struktuar varet nga disa faktorë por mbi të gjitha kultura e debatit në Shqipëri është e mangët në auditoret universitare ashtu si dhe në shoqëri. Në media transmetohen vazhdimisht formate ku nuk respektohet e drejta e tjetrit për të folur, ku argumenti zëvëndësohet me ulërima ose sulme personale si dhe asnjë temë nuk shtjellohet duke i lënë vëndin në fund, një pështjellimi akoma më të madh se në fillim. Në këtë panoramë nuk bëjnë përjashtim as auditoret universitare jo vetëm në Shqipëri, jashtë botës anglo-saksone ku debati është më i përdorur studentët kanë vështirësi për të debatuar duke ndjekur rregulla të caktuara.

Mungesa e kulturës së debatit e shoqëruar edhe me temëm e ndjeshme mbi të cilën debatohet e bën të vështirë zhvillimin e një ore konstruktive debati në auditor. Proçesi i integrimit të Shqipërisë është një temë delicate e cila trajtohet nga disa këndvështrime por organizimi i debatit mbi integrimin është një sfidë. Shpesh herë orët e debatit mbi vështirësitë e integrimit të shoqërisë shqiptare në BE transformohen në opinione personale të mbushura me ankesa kundrejt BE ose anasjelltas, me ankesa kundrejt klasës politike por edhe vetë shoqërisë. Në këtë mënyrë debati konstruktiv është shumë i vështirë për tu organizuar duke i lënë vënd diskutimit mbi perceptimet dhe jo mbi faktet.

Për këto arsye pjesëmarrja në projektin ‘Laboratori i Debatit mbi Integrimin Europian në Auditorët Universitare’, zbatuar nga Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim dhe financuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë ishte një hap pozitiv në ndryshimin e perceptimit të debatit por edhe mënyrës së të debatuarit në universitet. Më habiti entuziasmi i studentëve për të marrë pjesë në projektin në fjalë dhe dëshira e tyre për të eksperimentuar këtë sfidë të re.

Por, që në takimet e para përgatitore doli në pah mungesa e kulturës së debatit dhe vështirësia e tyre për të ndjekur rregulla të mirë përcaktuara të cilat e bëjnë konstruktive eksperiencën në fjalë. Me kalimin e kohës studentët filluan të kuptojnë rëndësinë e respektit të interlokutorit në debat, mbi të gjitha u mësuan të dëgjojnë argumentat e tjetrit dhe të strukturojnë përgjigjen e tyre mbi fakte dhe jo opinione personale duke nxitur mendimin kritik. Në këtë mënyrë ata u përfshinë edhe më shumë në projekt duke mësuar tashmë jo vetëm fakte të reja mbi integrimin por mbi të gjitha mbi mënyrën e të debatuarit.

Mendoj se debati si mënyrë didaktike duhet stimuluar gjatë gjithë ciklit të studimeve sepse ndihmon studentët në karrierën dhe në të ardhmen e tyre. Sot tregu i punës nuk vlerëson vetëm aftësitë individuale por edhe bashkëpunimin dhe punën në grup. Debati nxit bashkëpunimin gjatë përgatitjes së temës dhe gjatë parashtrimit të saj duke forcuar aftësinë e studentëve për të punuar në grup dhe ballafaquar me sfidat që ajo krijon.

Debati nxit vëmendjen ndaj tjetrit. Bota e sotme me zhvillimin e teknologjisë dhe rrjeteve sociale të komunikimit ka krijuar një deficit vëmendjeje, lajmet janë të shpejta dhe të shkurtra, thjesht shkëmbehen mendime por mungon kurioziteti për të dëgjuar dhe kuptuar mendimin e tjetrit. Formati i debatit varet eskluzivisht në vëmendja kundrejt skuadrës kundërshtare dhe në argumentat e paraqitura prej tyre, duke bërë studentët të ndalen tek mendimi i tjetrit ta kuptojnë dhe respektojnë atë.

Por mbi të gjitha studimi i argumentit i bën studentët më të përgatitur të kuptojnë këndvështrime dhe fakte të tjera, të zgjerojnë horizontet e tyre përtej librave të detyruara në auditore dhe lajmeve të shpejta të ndara në media dhe rrjete sociale.

Mundësia e shprehjes së mendimit në çdo moment dhe mbi çdo tematike në rrjetet sociale duke u fshehur mbrapa tastierës na ka bërë më të papërgjegjshëm ndaj komunikimit të perceptimeve tona mbi botën. Formati i debatit i dha mundësinë studentëve të reflektojnë më shumë mbi mënyrën sesi shprehin opinionin e tyre mbi integrimin dhe faktet ku bazohet ai. Njëkohësisht, nëpërmjet debatit studentët kanë filluar të kenë më shumë besim tek vetja dhe tek aftësitë e tyre për të folur në publik.

Për këto arsye projekti i debatit në auditoret universitare mbi proçesin e integrimit  duhet të nxitet dhe vlerësohet për impaktin pozitiv që mbi studentët dhe karrierën e tyre.