Krsitaq Ciko-Student Debatues Universiteti Ismail Qemali
“ Unë nuk jam dakord me atë që thua, por do ta mbroj deri në vdekje të drejtën tënde që ta thuash”, është kjo një nga shprehjet më të famshme që i atribuohet Volterit dhe që fatmirësisht na është transmetuar edhe ne. Jo më kot po e nis shkrimin tim me këtë shpehje lakonike, sepse mendoj dhe besoj se brenda kësaj fjalie gjendet urtësia që aq shumë na mungon në ditët e sotme dhe për të cilën kemi së tepërmi nevojë. Brenda saj ka pikënisjen dhe “legjitimitetin moral” debati, rrahja e mendimeve, e drejta e fjalës dhe e mendimit ndryshe, të cilat sot i marrim për të mirëqëna, por dikur kanë qenë luks dhe “mollë e ndaluar” për shoqërinë në përgjithësi, e aq më shumë për Shqipërinë e imponuar gati 50 vjet të besonte dhe të ndiqte vetëm një rrugë mendimi.
Parë në këtë optikë, ne sot kemi privilegjin që të shprehim mendimin tonë ndryshe dhe të rrahim mendimet, sepse në fund të fundit edhe vetë debati është pikërisht një rrahje mendimesh nga e cila triumfon ai që paraqitet më qartë dhe është më bindës. Mirëpo, në realitetin tonë të çuditshëm jo vetëm të tanishëm, por 30 vjeçar gjërat nuk janë siç teorikisht duhet të ishin. Tanimë nuk kemi censurë dhe mund të diskutojmë për çdo gjë e me këdo, mirëpo na del se fatkeqësisht problemi nuk paska qenë censura. Ajo ishte thjesht justifikimi ynë kryesor, me të cilin nuk mund të përligjim paaftësinë tonë aktuale si shoqëri për të debatuar në menyrë konstruktive.
Gjendja jonë si shoqëri në raport me kulturën e debatit mund të ilustrohet me një mit të famshëm të Platonit dhe konkretisht Mitin e Shpellës. Do mundohem të paraqes vetëm thelbin e tij për mos ta lodhur lexuesin. Në një shpellë gjendeshin që nga lindja disa persona, të lidhur e në pamundësi për të dalë. Ata kishin vetëm një zjarr në të cilin ruajtësit e tyre reflektonin figura të ndryshme dhe për të burgosurit kjo ishte “bota” që ata njihnin, pra ajo çka u servirej. Mirëpo njëri prej tyre arriti të dilte dhe pasi pa se jashtë bota ishte krejt ndryshe, vendosi të kthehej për të “iluminuar” edhe shokët e tij. Ata e konsideruan të çmendur dhe nuk besuan asgjë prej atyre që ai u tha. Në rastin konkret dhe për analogji kështu sillemi edhe ne si shoqëri me këdo që na paraqet një shembull ndryshe nga çfarë jemi mësuar të shohim.
Personalisht e kam pritur me shumë entuziazëm nismën e Debatit Universitar, për arsyen e thjeshtë se duke dashur të mos imitoj ata që shohim përnatë nëpër televizione e kam konsideruar si një mundësi unike edukimi lidhur me mënyrën e të debatuarit dhe kulturën e debatit që duhet përçuar në shoqëri. Nga kjo premisë, mendoj se duhet të nisemi jo vetëm në nivel personal, por krejt si shoqëri, sepse nëse nuk mund t’i ndryshojmë ata që përcojnë edukatën e gabuar të debatit, atëherë të paktën të përpiqemi të përmirësojmë dhe mbrujtim veten, si pjestarë të shoqërisë.