Prof. Asoc.Dr. Nevila Xhindi, mentore dhe trajnere për angazhimin e të rinjve në debatin universitar për integrimin
Emergjenca shëndetësore e shkaktuar nga epidemia e COVID-19 dhe ndikimet e saj ekonomike dhe shoqërore i kanë ndërprerë pothuajse të gjitha aspektet e jetës për të gjitha grupet e shoqërisë. Por, megjithatë, njerëz të moshave të ndryshme janë duke i përjetuar në mënyra të ndryshme pasojat e saj.
Për të rinjtë, e veçanërisht për më të ekspozuarit, kriza e COVID-19 paraqet rreziqe të konsiderueshme në fushat e arsimit, punësimit, shëndetit mendor dhe të ardhurave ekonomike. Për më tepër, ndërkohë që të rinjtë dhe brezat e ardhshëm janë të paracaktuar për të mbajtur mbi supe pjesën dërrmuese të pasojave afatgjata ekonomike dhe shoqërore të krizës në fjalë, mirëqenia e tyre mund të anashkalohet nga emergjenca dhe nevojat afatshkurtra ekonomike.
Në Shqipëri, pasojat e pandemisë COVID-19 janë duke i larguar akoma dhe më shumë liderat e rinj nga mundësia e tyre për t’u përfshirë në çështjet politike dhe publike të jetës shoqërore, ashtu si dhe për të marrë pjesë në vendimmarrje, kjo si pasojë e distancimit shoqëror dhe urdhërave për të qëndruar në shtëpi. Aktivistët e rinj nuk mund të mblidhen më fizikisht për të organizuar lëvizje apo tubime në shkallë të gjerë shoqërore. Mund të përfytyrojmë që edhe plogështia politike mund të jetë shumë e lartë te votuesit e rinj, të cilëve edhe përpara krizës u mungonte besimi te qeveria shqiptare dhe aktorët politikë të saj, dhe ndihen se të njëjtët udhëheqës dështuan që ta menaxhonin në mënyrë të përgjegjshme dhe të duhur emergjencën e shkaktuar nga pandemia COVID-19.
Kësisoj, ndërkohë që nga njëra anë pandemia ka fuqinë t’i dobësojë dhe përjashtojë të rinjtë, nga ana tjetër ata gjithashtu kanë mundësinë për të çliruar energji jetike, të cilat mund të prodhojnë ndryshime midis brezave. Por megjithatë, kontributi i të rinjve në të këtilla nisma varet thelbësisht nga lidershipi krijues, organizimi dhe vullneti për të rrokur mundësitë.
COVID-19 ka pasur një ndikim drastik mbi të rinjtë në Shqipëri në kuptimin tërësor dhe gjithëpërfshirës të fjalës, para së gjithash për arsyen se ka theksuar akoma edhe më shumë vështirësitë ekzistuese që ata hasin. Me 29.7% të të rinjve të cilët nuk janë as të punësuar, as nuk shkollohen dhe as nuk janë duke u trajnuar për ndonjë gjë (INSTAT, 2017), të rinjtë në Shqipëri kanë përballuar pjesën dërrmuese të pasojave të margjinalizimit socio-ekonomik, përkeqësimit të kushteve të përgjithshme të mirëqenies dhe varfërisë së paprecedent. Disa hulumtime na diktojnë se këto shifrat e papunësisë mund të dyfishohen si pasojë e pandemisë, duke shkuar kështu drejt humbjeve të shumta të vendeve të punës, ashtu si dhe të një përkeqësimi të pashmangshëm të mirëqenies.
Edhe përpara epidemisë, të rinjtë shqiptarë kanë pasur probleme madhore të cilat, ç’ është e vërteta, buronin nga mungesa e investimeve në shëndetësi, arsim, sipërmarrje, aftësim dhe punësimit të të rinjve. Sektorët joformalë të Shqipërisë që përthithin pjesën më të madhe të papunësisë karakterizohen nga mungesa të thella të sigurisë shoqërore, gjë që personat e punësuar në këta sektorë i dënon të jetojnë në një pasiguri të vazhdueshme. Shtetrrethimi dhe rregullat e shpallura në përgjigje të menaxhimit të krizës së shkaktuar nga COVID-19, kanë ndikuar negativisht në këta sektorë, duke detyruar shumë njerëz që të thellohen në varfërinë e tyre kronike. Për shumë vite, ekonomia e Shqipërisë ka dështuar në mënyrë të vazhdueshme për të krijuar mundësi punësimipër të rinjtë, që të përmbushë nevojat e mijëra të diplomuarve nëpër universitete dhe institucione të tjera tretësore.
Momente të tilla ndryshimesh të befta e të përhapura gjerësisht, historikisht kanë prodhuar ndryshime të tjera radikale e të pakthyeshme në dinamikën e pushtetit që, me kalimin e kohës, kanë vënë në lëvizje lidera të rinj të cilët pasi kanë ardhur në krye të vendit, e kanë ndryshuar në mënyrë të pashmangshme qeverisjen e këtyre shoqërive. Por megjithatë, si të gjitha rrethanat tipike revolucionare, këto momente nuk vijnë në një pjatë të argjendtë; përkundrazi, ato kërkojnë zgjidhje organizative, strategji dhe vendosmëri. Të rinjve shqiptarë u duhet t’i kërkojnë këto ndryshime sepse ata që kanë pushtetin thjesht nuk do t’ua mundësojnë kurrë ato.
Rinia shqiptare duhet të jetë në gatishmëri të plotë për këto ndryshime, në mënyrë që të ngrihet dhe të mobilizohet për mënyra të reja të të vepruarit. Këto ndryshime, në shkallë të gjerë, burojnë nga hendeqet që janë krijuar midis udhëheqësve dhe qytetarëve të tyre. Për t’i shmangur këto hendeqe, kërkohet një qeverisje e përgjegjshme dhe llogaridhënëse dhe, në mënyrë më kritike, një qytetari e cila është e informuar dhe e përgatitur për ta nxitur dhe ushtruar presion për një qeverisje më të mirë. Shqipëria ende është peng i institucioneve të dobëta të cilat janë të paafta për të ofruar shërbime publike dhe për të garantuar që të gjithë qytetarët do të trajtohen në mënyrë të barabartë. Kjo është pika ku çështjet e të rinjve shqiptarë vijnë në qendër të vëmendjes: COVID-19 potencialisht të rinjtë shqiptarë i ka projektuar që të jenë pjesë e pozicioneve strategjike që do t’i bëjë ata udhëheqës në ndihmën e rindërtimit socio-ekonomik dhe veprimtarive politike në një të atillë mënyrë që reflektojnë karakterin e punës së vështirë dhe përpjekjeve kolektive për të zgjidhur probleme.
Në periudhen post-COVID-19, të rinjtë shqiptarë duhet të kërkojnë dhe të jenë të vendosur në bindjen e tyre se nuk mund të ketë kurrsesi kthim në normalitet pa përfshirjen e tyre në pozicionet vendimmarrese. Kjo përfshirje duhet ta tejkalojë praktikën tradicionale të “përfshirjes së të rinjve” që shpesh priret drejt tokenizmit steril. Para së gjithash ata duhet të kërkojnë një vend në tryezën e rimëkëmbjes post-COVID-19, duke ndihmuar në konceptimin dhe zbatimin e një game të gjerë programesh dhe politikash të denja për t’iu përgjigjur pasojave të pandemisë.
Ndryshimi midis brezave në udhëheqësi dhe qeverisje është një proces i qëndrueshëm që gjithmonë varet nga përftimi afatgjatë i aftësive, burimeve dhe kapaciteteve. Por megjithatë, momentet e rastësishme si pandemia, kanë prirjen t’i japin udhë nisjes së këtyre transformimeve, duke i pajisur udhëheqësit e rinj me energji, nxitje dhe bindje. COVID-19 ka pasur një larmi pasojash mbi sistemet shëndetësore, ekonomike, shoqërore dhe politike nëpër të gjithë globin. Në Shqipëri, këto pasoja sapo kanë filluar të depërtojnë në sferat më të gjera shoqërore. Por megjithatë, nëse COVID-19 prodhon udhëheqës të rinj dhe ndez ndryshime midis brezave në Shqipëri, ai do të kontribojë edhe në qasje të reja për administrimin e çështjeve shoqërore dhe politike.
*Mbështetur nga një studim i autores realizuar me mbështetjen e Westminister Foundation for Democracy.