Përfundimet e Webinarit “Vlera e Inovacionit në kohë krize”

Dr. Erjon Curraj, Ekspert i Transformimit Digjital —

Inovacioni luan një rol themelor në një mjedis të ri të karakterizuar nga kriza të herë pas hershme. Mjafton të përmendim këtu dy krizat e mëdha të Shqipërisë: kriza social-ekonomike e shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe tanimë një krizë edhe më e thellë nga pandemia COVID19. Këtu nuk po ndalem fare tek krizat politike sepse ato duket sikur janë të përhershme në Shqipëri dhe jo të herë pas hershme. Në këto javë vetë-izolimi, duke diskutuar me kolëgë, miq e mikesha për  sfidat por edhe mundësitë që krijohen prej pandemisë COVID19, vendosëm të organizojmë një forum diskutimi online (webinar) për të bashkëbiseduar me ekspertët lidhur me rolin që inovacioni luan në kohë krizash. Si po përballen me këtë realitet dhe sesi po përgatiten për “normalitetin e ri” në post-krizë? Si bëhet vlerësimi i impaktit në kohë krize? Cili është roli i inovacionit? Cilat janë sfidat për sipërmarrjen? Për arsimin? për Shoqërinë civile? Po mundësitë? Si duhet të përgatitemi për ‘normalitetin e ri’ post-krizë? Cilat janë mësimet e nxjerra? Çfarë do të thotë përdorimi i qasjes “Mësim & Zhvillim”? Në këtë webinar pata kënaqësinë të moderoj diskutimin me pjesëmarrës nga Shqipëria dhe Kosova nga sektori i biznesit, arsimit dhe shoqërisë civile.

 

E nisëm diskutimin me fokus inovacionin dhe teknologjinë si thelbësor për transformimin dhe përshtatjen e biznesit, por edhe arsimit dhe shoqërisë civile në këtë realitet të ri. Më pas, gjatë diskutimit, folësit e vunë theksin tek: së pari, vlerësimi i situatës në mënyrë rigoroze. Pra matja e saktë dhe mbledhja e të dhënave rreth ndikimit të krizës në sektorë të ndryshëm psh në biznes apo arsim. Vetëm përmes vlerësimit të ndikimit dhe nxjerres së të dhënave të sakta, mund të ndërtohen politika apo instrumenta lehtësues për të përmirësuar situatën. Eksperti i Zyrës Qendrore të OKB-së në New York për menaxhimin e krizave, Dr.Fabjan Lashi, ndau me pjesëmarrësit përvojën e UNDP në nivel botëror për vlerësimin e impaktit të krizave. Ai theksoi se tashmë për shumë sektorë dilemma është: të bësh inovacion ose të ‘vdesësh’. “Innovate or die” është një metaforë për të simbolizuar ndikimin e madh dhe të gjithëandshëm që inovacioni sidomos ai teknologjik e digjital ka në ekonominë dhe shoqërinë bashkëkohore.

 

Së dyti, roli i shoqërisë civile për zhvillim e transformim shoqëror është edhe më i rëndësishëm në kohë krize se në situata normale. Prof. Nevila Xhindi, pedagoge në Universitetin Mesdhetar të Shqipërise,  theksoi se “përdorimi i gjerë i të dhënave të mëdha (Big Data) ka krijuar sfida të reja të lidhura me përgjegjshmërinë, ndershmërinë, besimin dhe transparencën që mund të ndikojnë negativisht në shoqëritë duke krijuar diskriminim, padrejtësi dhe përjashtim të populates”. Prandaj, shoqëria civile mund të krijojë instrumente për të krijuar rezistencë ndaj impaktit negativ të inovacionit. Së treti, edukimi i brezave të ardhshëm në kohë krize është sfidues, aq më tepër që universitetet shqiptare nuk ishin të përgatitur për mësimdhënie e procese akademike 100% online. Diana Biba, Administratore e Kolegjit Profesional të Tiranës, nënvizoi se “sfida e mësimdhënies online falë inovacionit dhe teknologjisë duhet parë si një mundësi për t’u shqyrtuar dhe konsideruar për angazhime më efikase, më efektive, më gjithëpërfshirëse edhe në post-krizë”. Mësimet e nxjerra dhe praktikat e krijuara nuk duhet të humbasin.

Pikërisht duke marrë shkas nga nevoja për të ndërtuar mbi mësimet e nxjerra nga sektorë të ndryshëm sidomos gjatë krizës dhe në përgatitje për post-krizën dhe normalitetin e ri, theksova në diskutim se ajo çka na duhet në fakt është qendrueshmëria. Pra nuk bëhet më fjalë se a do të inovojnë apo jo bizneset apo sektori arsimit apo shoqëria civile. Çështja është çfarë lloj inovacioni na duhet në këto sektorë. Një inovacion i qendrueshëm ofron zgjidhje të integruara, afatgjata dhe gjithëpërfshirëse. Inovacioni i qendrueshëm është i mundur vetëm nëse mësojmë nga përvoja, shkëmbejmë praktika brenda sektorit apo midis sektorëve dhe fokusohemi në strategji dhe jo vetëm në reagime të shpejta ndaj situatave të krizës. Lidershipi largpamës e mendje hapur ndaj teknologjisë apo të resë në përgjithësi është factor kyç. Ashtu sikurse është edhe ekzistenca e një mjedisi mundësues në nivelin e qeverisë qendrore apo vendore. Organizatat duhet të mësojnë të jenë agile, pra të përshtaten shpejt me ndryshimin dhe të përqafojnë të renë.

 

A jemi gati për të gjitha këto? Kriza COVID19 tregoi se disa syresh në arsim, shoqëri civile dhe biznes ishim më gati se të tjerët. Disa u përshtatën më shpejt e disa ende jo. Natyrisht që ka këtu element të pabarazisë së mundësive, kompetencave, burimeve apo insfrastrukturës. Pabarazitë nuk mund të zhduken me një të rënë të lapsit, ama mund të punojmë në drejtim të zbutjes së tyre edhe përmes ndërtimit të aleancave bashkëpunuese dhe gjetjes së zgjidhjeve të qendrueshme. Kë takim u realizua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Krijimtarisë dhe Inovacionit. Ky nuk ishte i vetmi takim i joni, ne do të vazhdojmë të ndërgjegjësojmë komunitetin, të japim alternativat tona bazuar në ekspertizë dhe pse jo të lobojmë për inovacionin e qëndrueshëm.  

 

Ky webinar u organizua nga Tech360 Smart Solutions, Kolegji Profesional i Tiranës, Qendra “Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim”, Qendra për Studime të Krahasuara dhe Ndërkombëtare si dhe Erasmus Student Network në Shqipëri – ESN Tirana.