Eranda Zorba, FSHS UT

Sot pjesë e fjalorit tonë të përditshëm janë fjalë si demokracia, dialogu, polemika, votimi etj., por a ka dialog dhe demokraci?

Në botën e sotme të shpejtësisë, mungesës së kohës së lirë, presionit dhe trysnise se gjithanshme sociale   pyetja që shtrohet është: “çfarë lloj demokracie dhe çfarë lloj mediash kemi sot”? A mbizotëron vërtet mendimi i shumicës? Dhe nëse po, si formohet ky mendim? Vërtet mediat i informojnë qytetarët apo i manipulojnë ata? A po verifikohen gjithnjë e më shumë  teoricienët e konspiracionit? A janë lajmet e rreme, gazetarët e rremë, ekspertët e rremë, studiuesit e rremë, mësuesit e rremë dhe përfaqësuesit e rremë drejtuesit e këtij mendimi? A ka një kontroll të kënaqshëm, nga organet kompetente të shtetit, të financave të medias dhe të palëve? Partitë parlamentare a miratojnë ligje apo votojnë kundër të tjerëve në varësi të interesave partiake apo personale? A funksionon siç duhet gjyqësori? A jepet drejtësia gjithmonë në mënyrë korrekte dhe gjithmonë në kohë? Dhe nese po, pse jetojnë dhe mbretërojnë tregtarët e drogës të pandëshkuar?

Sot, ku korrupsioni mbizotëron pothuajse në të gjitha nivelet dhe veprimtaritë e njeriut, “çfare lloj demokracie dhe media kemi ne? ” Është p.sh. demokratike në një vend demokratik të votosh dikë, qoftë kryeministër apo president për të zbatuar një program të caktuar, që u votua nga shumica e popullit, dhe të nesërmen (apo pas disa javësh apo muajsh) të shkelësh premtime shumë serioze? Dhe në këtë situatë, mënyra e vetme për ta ndëshkuar liderin është pritja deri në zgjedhjet e ardhshme, ku ka shume gjasa qe vota te vidhet përsëri? Po me premtimet serioze të paplotësuara çfarë ndodh?

Kush i kontrollon realisht marrëdhëniet e pronarëve dhe drejtuesve të mediave të fuqishme (të shkruara dhe/ose elektronike) me qendrat e fuqishme të pushtetit ekzekutiv apo me agjentë të fuqishëm ekonomikë vendas dhe/ose ndërkombëtarë? Çfarë lloj kontrolli bëhet dhe me çfarë kriteresh për cilësinë e programeve të stacioneve televizive, mënyrën e prezantimit, kohëzgjatjen/frekuencën e transmetimit dhe përshtatshmërinë e lajmeve?

Fuqia dhe ndikimi i jashtëzakonshëm i medias përdoret gjithmonë për të mirën e popullit apo edhe kundër tij? Epoka e re, të dhënat e reja, politika e re, mundësia e re, sa e re është në të vërtetë?

Vërtet mediat i informojnë qytetarët apo i manipulojnë, i terrorizojnë, i bombardojnë me lajme, programe dhe heronj të rremë me vlerë zero? Kush mund të emërojë deri në pesë (5) demokraci në botë, ku në fakt demokracia zbatohet, dhe menjëherë më pas të vërtetojë përgjigjen e tij? A përfshihet Shqiperia në këto vende?

Nevojitet dialog konstruktiv për të gjitha  më sipër, kryesisht në shkolla dhe universitete, në mënyrë etike, demokratike dhe gjithmonë brenda kornizës të qëllimeve, rregulloreve dhe misionit edukues.