Dr. Holta Heba, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë
Të rinjtë që zgjedhin të përqafojnë komunikimin publik janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë dhe përpjekjet që kërkon ky proces. Publiku nuk është homogjen. Ne njerëzit pavarësisht se të ngjashëm në lloj, ndodh të jemi edhe të ndryshëm në shije.
Të rinjtë duhet të dinë se, dalja e parë në publik nuk është e njëjtë me daljen e dhjetë, a pesëmbëdhjetë, e megjithatë emocionet janë gjithnjë të pranishme, cilado qoftë përbërja e publikut. Është njerëzore që individi të përjetojë emocion gjatë gjithë performancës para publikut. Emocioni në kësi rastesh është i pranueshëm. E kundërta do të ishtë një gënjeshtër. Aty ku nuk ka emocion, nuk mund të ketë kërkesë për performancë të lartë.
Të rinjtë duhet të jenë të vetëdijshëm se publiku është gjithë sy e veshë, për dy llojet e komunikimit: verbal dhe joverbal. Gjatë komunikimit publik individi është në përpjekje të vazhdueshme për të qëndruar sa më i qetë, duke dhënë imazhin e një njeriu të pastresuar edhe pse në të vetëdijëshmen e tij përgjatë gjithë kohës e ndjen se do të jetë objekt komentesh pozitive apo negative sapo të përballet me syrin e mprehtë të publikut.
Të rinjtë duhet të dinë se komunikimi në publik kërkon përpjekje për të zgjedhur kodet e duhura verbale dhe joverbale, të cilët varen tërësisht nga zotërimi i temës dhe formimi individual. Komunikimi në publik nuk është diçka e pamundur. Mjafton të kuptosh se jo gjithnjë është e thjeshtë të thuash pothuajse gjithçka në pothuajse asgjë. “Pothuajse gjithçka” pasi gjithnjë mund të mbetet diçka pa thënë, “në pothuajse asgjë” pasi ndodh të thuhen ide, të cilat mund të jenë të jenë trajtuar edhe me parë nga të tjerë.
Të rinjtë duhet të dinë se cilado qoftë tema, në të cilën mendojnë se kanë njohuri, të mos ngurojnë ta shprehin plot forcë dhe dëshirë. Komunikimi në publik ka nevojë për energji. E ku tjetër përveç se tek të rinjtë mund të gjendet me shumicë!
Të rinjtë duhet të dinë se publiku do të shohë një njeri kompetent të fushës. Kompetenca kërkon menaxhim të mirë gjuhësor dhe gjestual. Lipset që përballë publikut të ushtrohet kontroll i të gjitha lëvizjeve dhe gjesteve, të cilat duhet të jenë në harmoni me atë çfarë shprehet me fjalë.
Të rinjtë duhet të dinë se nuk mjafton të kesh vetëm ide brilante, por edhe të zotërosh artin e komunikimit duke harmonizuar fjalët me interpretimin, në mënyrë që të shmanget venitja e shkëlqimit. Interesi i publikut mund të jetë i vogël për atë për të cilën je ftuar të flasësh, por ndodh që pavarësisht komunikimit verbal, ai mund të tërhiqet nga stili individual i paraqitjes dhe mënyra që ke zgjedhur të shprehesh.
Komunikimi në publik, duket se kërkon përgjegjësi dhe plot përpjekje, por tek e fundit si mund të arrihet performancë e lartë, nëse nuk mësojmë të shmangim të dobtën?!