Klodiana Beshku, PhD —
Vendet anëtare të Bashkimit Europian arritën sot të marrin një vendim për çeljen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, për të mos thënë “pranuan” të hapin negociatat me këto dy vende, në linjë me shmangien e përdorimit të fjalës “refuzuan” të hapnin negociatat në Tetor të vitit të kaluar.
Po çfarë ka ndryshuar që në Tetor 2019? Që atëherë ka kaluar në mes një det i tërë, në kuptimin fizik dhe metaforik të fjalës. Jo vetëm ishulli britanik tashmë është ndarë zyrtarisht nga BE-ja, por metodologjia e zgjerimit të BE-së drejt vendeve kandidate ka ndryshuar katërcipërsisht. Për ta sqaruar pak më mirë këtë, le të kthehemi pakëz në kohë.
Në Tetor të vitit 2019, Këshilli Europian nuk i hap negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pavarësisht rekomandimit pozitiv të Komisionit Europian në lidhje me këto dy vende. Kundërshtuesi më i bindur në këtë drejtim qe Franca dhe presidenti Makron, por edhe Hollanda e Danimarka i shkuan me zell nga pas kësaj linje. Disa ditë më vonë, Parlamenti Europian me një rezolutë të posaçme u shpreh “thellësisht i zhgënjyer” ndaj këtij vendimi e në vazhdim Franca u vendos nën një presion të fortë prej opinioni publik e elitave politike europiane, presion i cili në fakt duhej të ishte nxitur fort prej kohësh nga ana e Shqipërisë qysh përpara Samitit të Brukselit të Tetorit duke qenë se qasja e Francës e Hollandës dihej ngahera.
I vendosur përballë këtij presioni, presidenti Makron vendos t’i qendrojë linjës së tij, duke vazhduar të trumpetojë për një ndryshim të thellë në metodologjinë e zgjerimit të BE-së përpara ndezjes së dritës jeshile për vendet e mbetura pezull. Një muaj më vonë, në Nëntor 2019, Franca publikon një dokument të quajtur Non paper me rekomandimet e saj në lidhje me këtë proces, rekomandime të cilat ngjasonin më tepër me kushte që, nëse do të ishin aprovuar në atë formë, do të kishin bërë që vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor të shihnin BE-në “me dylbi”. Fatmirësisht, disa vende dashamirëse dalin me një tjetër Non paper në Dhjetor 2019 hartuar nga Austria, Republika Çeke, Sllovenia, Polonia, Estonia, Letonia, Lituania e Malta, i cili rreket të zbusë kushtet franceze dhe kështu ndodh. Metodologjia e re e publikuar më 5 Shkurt nga Komisioni Europian në lidhje me vazhdimin e zgjerimit të BE-së drejt vendeve të tjera duket të jetë një kompromis mes qasjes së bllokut franceze jo favorit ndaj Shqipërisë dhe asaj të vendeve favorite ndaj saj.
Në këto kushte të reja, Shqipëria e Maqedonia e Veriut tashmë përballen me kushtëzime shumë më të ashpra se sa Serbia e Mali i Zi në rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Tashmë 35 kapitujt janë përmbledhur në 8 Grupime dhe mbyllja e secilit prej tyre do të shihet ngushtësisht e lidhur me atë të kapitujve të tjerë në grup, Këshilli Europian merr pjesë ngushtësisht me Komisionin në hartimin e Raportimeve dhe tashmë eështë përfshirë edhe klauzola e “kthimimi mbrapsht” të procesit në rast se një vend nuk performon ashtu siç duhet në këtë proces, për të përmendur këtu vetëm disa prej ndryshimeve më thelbësore.
Pra, prej krenarisë së atyre që ishin ngarkuar të merreshin me procesin e integrimit, mungesës së koordinimit të të gjithë aktorëve kombëtarë në këtë proces, aktivitetit destruktiv të opozitës, por sigurisht edhe prej situatës jo të favorshme në gjirin e BE-së, Shqipëria humbi një tjetër satcion në këtë rrugëtim, por fatmirësisht jo trenin. Edhe njëherë ajo u shpëtua prej rastësive, siç do të thoshte Konica i madh, ndoshta për të mos i shuar plotësisht shpresat e atyre që e kanë dashur dhe ende e duan me gjithë zemër integrimin europian të vendit.