Klodiana Beshku, Fakulteti i Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës

Deficiti demokratik brenda BE-së është një temë ende pak e eksploruar në Shqipëri, ndërkohë që në vendet anëtare të BE-së ekzistojnë shumë debate e analiza të thelluara mbi këtë argument. Shqipëria, ashtu si vendet e tjera kandidate për anëtarësim, kanë prirjen ta idealizojnë BE-në si model ii padiskutueshëm i demokracisë dhe të drejtave të njeriut, ndërkohë që qytetarët e vetë vendeve anëtare, të mësuar tashmë me një standard të lartë të këtyre të dyjave, janë disi më të ndjeshëm ndaj fenomene që cekin apo dëmtojnë demokracinë dhe të drejtat e njeriut në BE.

Debati mbi këtë temë qendron kryesisht në tre rrafshe. Rrafshi i parë ka të bëjë me ndarjen e pushteteve brenda BE-së. Paolo Ponzano, profesor i Kolegjit Europian të Parmës shkruan se parimi i ndarjes së pushteteve i Montesquieu-së, i zbatuar pothuajse në të gjitha Kushtetutat e shteteve kombëtare, nuk aplikohet në BE. Shembulli më konkret në këtë drejtim është Komisioni Europian. Ai i ushtron të tre pushtetet, atë lëgjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, edhe pse nuk kanë kompetencë ekskluzive për asnjërin prej tyre. Kështu, Komisioni Europian e ushtron pushtetin legjislativ nëpërmjet ekskluzivitetit të iniciativës legjislative, duke qenë se të gjitha ligjet në nivel europian, përveç  fushës së gjyqësorit, kanë nevojë për propozim nga Komisioni Europian. Përsa i përket pushtetit ekzekutiv të cilin ai e bashkëndan me Këshillin Europian, mund të thuhet se rreth 2000 vendime ekzekutive ose të deleguara miratohen për çdo vit nga Komisioni. Ai ushtron edhe pushtetin gjyqësor përderisa mund të anullojë një ndihmë ndaj një shteti anëtar ose të gjobisë një kompani e cila mund të ketë shkelur rregullat e konkurrencës. Nga ana tjetër, Parlamenti Europian nuk e zotëron të drejtën e iniciativës legjislative. Ai i drejtohet Komisionit në raste të tilla. Ndërkohë që për Këshillin Europian mund të thuhet komplet e kundërta: Ai abuzon me pavarësinë e tij nga dy institucionet e tjera, duke bërë që të bllokohet mekanizmi i checks and balances brenda Unionit. Këtu mund të përmendet shtyrja e çeljes së negociatave dy herë përgjatë viteve 2018-2019 me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pavarësisht se Komisioni kishte dhënë dritën e gjelbërt në këtë drejtim. Ndërkohë që Këshilli i Ministrave të BE-së ka të drejtën që të ushtrojë edhe pushtetin legjislative, duke qenë se ai mund të miratojë ligje e vendime ekzekutive në fushën e politikës së jashtme.

Një rrafsh tjetër ku mund të preket nga afër deficiti demokratik i BE-së ka të bëjë me mungesën e pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrjet e Unionit. Kaq i madh është ky hendek, sa që Bashkimi Europian është quajtur ndryshe edhe “demokracia pa demos” [1]. Qytetarët europianë vërtet votojnë për europarlamentarët një herë në 5 vjet, por fill pas zgjedhjeve, lidhja e tyre me të zgjedhurit pothuajse pushon së ekzistuari. Europarlamentarët i rikthehen përkatësive të tyre kombëtare dhe prej vitesh tashmë është hedhur në qarkullim ideja që ata të konkurrojnë më lista të përbashkëta mbikombëtare në zgjedhjet europiane, pra lista transnacionale, të bazuara mbi përktësinë partiake europiane dhe jo atë kombëtare, por ende jemi larg realizimit të kësaj ideje. Siç e thamë edhe më sipër, Parlamenti Europian nuk zontëron iniciativën legjislative dhe për të afruar qytetarët me Komisionin Europian në këtë drejtim, që me traktatin e Lisbonës ekziston e ashtuquajtura Iniciativa Qytetare Europiane e cila i mundëson një milion qytetarëve europianë që i përkasin shtatë shteteve anëtare të ndryshme të dërgojnë pranë Komisionit Europian një iniciativë legjislative të tyre. Pavarësisht se ekziston edhe një website i dedikuar kësaj nisme, duket sekjo nuk mjafton për të afruar Komisionin me qytetarët e Unionit. Edhe nisma e spitzenkandidat e cila synonte përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë Komisioni prej aleancave partiake të Parlamentit Europian, një nismë aq shumë e trumpetuar në drejtimin e afrimit të qytetarëve europianë me Komisionin, duket se dështoi me emërimin e kryekomisioneres Ursula Von der Leyen në vitin 2019, një zgjedhje kjo që nuk i mori parasysh spitzenkandidat-ët e përzgjedhur më parë e sidomos favoritin e PPE-së, Manfred Weber.

Rrafshi i tretë i analizës së deficititi demokratik brenda BE-së ka të bëjë me demokracinë brenda shteteve anëtare të Unionit. BE-ja prej disa vitesh tashmë i duhet të merret me rritjen e populizmit dhe të partive radikale të djathta brenda shteteve anëtare, por duket se dy shtetet më problematike në këtë drejtim vijojnë të mbeten Poloni dhe Hungaria, nisur edhe prej ligjeve anti-BE dhe në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut të miratuara së fundmi prej këtyre dy vendeve. Pavarësisht një sërë sanksionesh të ndërmarra nga BE-ja ndaj Hungarisë së Mateusz Morawiecki-t dhe Polonisë së Viktor Orban-it, duhet thënë se Unioni nuk zotëron ende asnjë mekanizëm të tillë derivues prej Traktateve ekzistuese që të mund të frenonte rrëshkitjen e këtyre vendeve drejt demokracive joliberale dhe autoritarizmave.

[1] Daniel Inneratity (2018). Democracy in Europe. A political philosophy of the EU, Cham: Palgrave MacMillan, fq. 85.