Skerdi Kruja,Fakulteti i Drejtësisë, UT —

 

Tashmë ne kemi arritur në javën e tretë të izolimit në shtëpi dhe “luftës ndaj armikut të padukshëm” që quhet Covid-19. Ne na është dashur të ndryshojmë tërësisht mënyrat tona të jetesës dhe me to kanë ardhur dhe kufizimet e të drejtave tona. Duke filluar që nga lëvizja e lirë e personit, të drejtën për të punuar apo të drejtën për tu arsimuar. E unë kam vendosur të ndalem specifikisht te e drejta për tu arsimuar.

 

Me datë 9 Mars, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë së bashku me Ministrinë  e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nxorrën vendimet e para në lidhje me masat që qeveria do të ndërmerrte për t’u përgatitur për këtë luftë, ku njëra prej tyre do të ishte mbyllja e të gjitha institucioneve arsimore publike dhe jopublike parauniversitare në rang kombëtar. Vendim ky që u pasua nga vendimet e Rektorateve përkatëse të çdo Universiteti në Republikën e Shqipërisë për të pezulluar mësimet deri në një lajmërim të dytë.

 

Situata sa vinte dhe rëndohej, duke shënuar më shumë të prekur pas çdo dite dhe më shumë masa të ndërmarra nga Qeveria për të ngadalësuar përhapjen e tij. Duke ndjekur situatën aktuale studentët vendosën të riktheheshin pranë familjeve të tyre ndoshta nga frika dhe pasiguria për të gjetur te ta ndopak ngushëllim.

 

Pas gati dy javësh pasigurie sesi do vazhdohej me arsimin dhe nëqoftëse viti i nxënësve dhe studentëve do të digjej Ministria Arsimit dhe Rektoratet njoftuan se do të fillonin proçesin mësimor online ashtu si vendet e tjera.

Sigurisht që ky njoftim solli shumë pyetje të ngritura nga studentët, prindërit por dhe vet mësuesit dhe pedagogët.

Si për t’i kthyer përgjigje pyetjeve dhe për të sqaruar çdo problematikë Ministria Arsimit me të gjithë fuqinë e kabinetit të saj u përpoq dhe po përpiqet në maksimum për ta realizuar atë, por a i’a ka arritur në të vërtetë qëllimit?

Për këtë le të marrim në analizë disa pika kyçe.

 

  Së pari proçesi i mësimit online do të implementohej nëpërmjet disa aplikacioneve të reja, për të cilët studentët, mësuesit prindërit dhe nxënësit vetë nuk ishin të qartë sepse ishte e padëgjuar dhe më parë.

  Së dyti, mundësia e çdo familje për të patur një smartphone apo një laptop për të përdorur këto programe. Është e vërtetë që në ditët e sotme shumica e familjeve janë të pajisura me të paktën një smartphone për familje, por këtu duhet të marrim në konsideratë dhe prindërit që u është dashur të punojnë nga shtëpia e rrjedhimisht marin prioritet përpara ndjekjes së leksioneve. Përtej kësaj niveli ekonomik i familjeve shqiptarë ku rroga minimale prej 26000L për muaj është e pamjaftueshme për kërkesat bazike të jetesës e tani u është shtuar dhe problemi i pajisjes me internet.  

Do ju duket e çuditshme ama një nga paketat më të lirë mujore të internetit variojnë nga 1500L  e lart si për smartphone ashtu dhe me modem.

Po të mbështetemi në statistikat e INSTAT niveli i papunësisë është rreth 24.6%, por këto statistika duhet të merren të rezervuara nga ana jonë sepse janë përpara se të mbylleshin pikat e basteve dhe lojërat e fatit ku afërsisht 17 mijë veta u regjistruan si të papunë.

   Së treti, e ndoshta veprimi më i mirë që Ministria ka realizuar është transmetimi i leksioneve për nxënësit parauniversitar në radiotelevizionin e Tiranës, i cili gjithsesi mbahet nga taksapaguesit shqiptarë. Por dhe leksionet aty janë të pamjaftueshme siç dëgjojmë shpesh nëpër transmetimet televizive me opinionistë të ndryshëm.

Por dhe këtu duhet të merren parasysh familjet në zonat e thella rurale ku mundësia për të ndjekur këto leksione është e vështirë, për të mos përmendur që jo më larg se vjet kanalet televizive u bënë të paaksesueshme pa pajisjen e një modemi.

  Së katërti, përgatitja dhe njohuria e palëve të interesuara me mësimin online. Është e vërtetë që shtetet e huaja kanë implementuar metodën e ndjekjes së leksioneve online, por nuk duhet të harrojmë që ata nuk janë të saponjohur me to. Prej vitesh Universitetet e tyre kanë  website personale ku studentët mund të lundrojnë online për çdo pyetje që mund të kenë, dhe tek ne një pjesë e mirë te sistemit Parauniversitar është e papajisur me to dhe Universitetet i kanë të paplota, të mbushura me bug-e të ndryshme dhe të vjetëruara.

Vendet e huaja, ku mund të marrim si shembull sistemin arsimor të vendeve Nordike, kanë implementuar prej kohësh komunikimin online për të dhënë detyra dhe projekte për studentët e tyre, ndërsa në Shqipëri ka filluar të vihet në zbatim kohët e fundit.

 Sipas një analize të bërë nga ana ime të dy daljeve të Ministres së Arsimit në emisione televizive, ka plot paqartësi dhe ankesa nga studentët, sesi mësuesit po “neglizhojnë” me detyrat e tyra duke u kërkuar llogari dhe komunikuar në orare të vona, pa respektuar oraret zyrtare në një kohë normale, por dhe vete mësuesit kanë ankesa dhe pse në vështirësi për t’i shprehur, që janë të patrajnuar për një situate të tillë.

 

 Sigurisht, që në këtë situatë ku gjendemi, shëndeti është kryesori, por a mos vallë gjendemi në një situatë që mund të ishte parandaluar?

A mos ndoshta duhet të kishim filluar prej kohësh implementimin e një sistemi arsimor online, ku të bëhej ndërthurja e leksioneve online dhe në mënyrën tradicionale? Mos ndoshta mësuesit dhe studentët duhet të ishin trajnuar për nje situatë të tillë paraprakisht?

Jeff Bezos ka thënë para 5 vitesh në një podium të mbajtur prej tij që sfidat më të mëdha njerëzimi nuk do t’i ketë prej luftërave, por prej viruseve/baktereve sepse do të na kapin të papërgatitur, siç dhe po e shohim.

E unë kam bindjen personale që një situatë e tillë do të përsëritet në të ardhmen, por me shpresën që do të kemi nxjerrë disa mësime të rëndësishme dhe të kemi vepruar mbi to.

Në këtë mënyrë një brez tjetër nuk do të duhet të “vuajë” pasojat që po përjeton sistemi arsimor  i sotëm.