Dr. Petrina Broka

Ky shkrim në blog merr shkas nga marrja pjesë në Javën Ndërkombëtare të zhvilluar nga Universiteti i Westminster, në Londër. Një eksperiecë kjo shumë e bukur, e cila u mundësua nga një bashkëpunim ndërmjet Universitetit të Tiranës dhe këtij universiteti, në kuadër të Erazmus Plus. Atje patëm mundësi të njiheshim më nga afër me këtë universitet, me pedagogë e studentë, të cilët ishin nga vende të ndryshme të botës. Një universitet ku kultura të ndryshme ndërvepronin në mënyrë harmonike në funksion të dijes dhe zhvillimit. Gjetëm një ambjent dijedashës, me një infranstrukturë bashkëkohore, totalisht e konceptuar në funksion të studentit dhe student, që ishin të etur për dije dhe bënin që universiteti të gjallonte. Ishte një eksperiencë shumë e bukur dhe shumë e vlefshme, jo vetëm në aspektin profesional, por edhe atë personal.

Gjatë kësaj jave takuam kolegë nga shtete të ndryshme. Me ta ndamë informacione mbi metodat e mësimdhënies, kurrikulat, programet që ofrohen nga fakultetet respektive, ide, mundësi potenciale dhe konkrete bashkëpunimi, etj.

Një takim shumë domethënës ishte ai me kolegët nga Ukraina, të cilët na treguan mbi eksperiencën e të dhënit mësim në kohë lufte. Sigurisht një eksperiencë, që askush nga ne nuk do të dëshironte të provonte. Më ngacmoi dhe më futi në mendime evidentimi prej tyre i rëndësisë, që ka arsimi për një shtet edhe në kohë lufte. Ata u shprehën se duhej të vijonin, përndryshe kostoja e luftës do ishte tepër e madhe, do të ishte gjenerata të rinjsh të pa arsimuar. Dhe sigurisht që kjo thënie është shumë e vërtetë dhe e rëndësishme edhe në kohë paqe. Pra, nëse duam zhvillim të vendit nevojitet, që arsimit t’i jepet prioritet i vecantë. Dhe sigurisht, që arsimi universitar është me një rëndësi të vecantë, pasi ai formëson profesionistët e së ardhmes. Për këtë arsye, këtij niveli arsimor i duhet zhvillimi i kërkimit universitar. Ky kërkim duhet të zhvillohet paralelisht me ndërveprimin dhe bashkëpunimin me universitetet jashtë vendit si dhe me biznesin, që operon brenda dhe jashtë. Në këtë mënyrë studentët do të zhvillohen lokalisht, por edhe globalisht. Por, sigurisht që nevojitet një plan i mirëmenduar, që kontributi i këtyre  studentëve të  rikthehet në funksion të zhvillimit të vendit.

Megjithatë, duhet theksuar se reformimi, përmirësimi i cilësisë së arsimit nuk lidhet vetëm me cilësinë e arsimit universitar, por sigurisht që nevojitet një reformim i arsimit që në fillesat e tij. Me këtë më duhet të theksoj që cilësia e arsimit univesitar varet edhe nga nxënësit, që vijnë si student në auditorët universitarë. Si nënë, por edhe si pedagoge do të sugjeroja një reformim në arsim, që nga parashkollori duke vijuar më lart. Nxënësit nuk duhet të mësojnë nëpërmjet riprodhimit, por ajo ç’ ka kemi nevojë është të nxisim zhvillimin e mendimit original, kritik, I cili prodhon risi dhe zhvillim.