Msc. Kristina Lata

  1. Hyrje

Agjenda 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm nga Kombet e Bashkuara përbën një angazhim universal të miratuar me konsensus nga të gjitha vendet anëtare të OKB-së.[i] Agjenda përmban 17 Objektiva të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) dhe 169 synime, të cilat janë të ndërlidhura për të arritur “një të ardhme sa më të mirë dhe të qëndrueshme për të gjithë.”[ii] Ajo u miratua në vitin 2015 nga 193 shtete anëtare të OKB-së dhe hyri në fuqi që nga 1 janari 2016, për të vazhduar deri në vitin 2030.

Një nga shtetet e para që nënshkroi agjendën ishte dhe Shqipëria, angazhimi i të cilës është realizuar në saj të përfshirjes në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2015 – 2020, si dhe përfshirjen në dokumente të tjera kombëtare[iii] . Prioritetet e qeverisë shqiptare në këto vitet e fundit kanë pasur synim rritjen e transparencës, llogaridhënien, kapërcimin e krizave, reformat në drejtësi, rritjen ekonomike, luftën ndaj korrupsionit dhe integrimi drejt BE-së. [iv]

  1. Çfarë pritet nga Agjenda 2030?

Në kuadër të Agjendës 2030 qeveria shqiptare me përmbushjen e OZHQ-ve synon që të arrijë këto pika:

Së pari, një qeverisje mirë efektive dhe shtetin e së drejtës. Nëpërmjet kësaj shteti dhe aktorët joshtetërorë duhet të bashkëpunojnë së bashku jo vetëm në kuadër të agjendës, por dhe për konsolidimin e demokracisë në vend në përputhje me normat dhe standardet ndërkombëtare.

Së dyti, pritshmëria e qeverisë shqiptare në kuadër të nënshkrimit të agjendës është kohezioni social në saj të rritjes së standardeve dhe masave për shëndetin, arsimin, mbrojtjen sociale të fëmijëve dhe dhunës me baza gjinore.

Së treti, ajo çfarë pret qeveria është rritja ekonomike, punësimi dhe produktiviteti në sektorin e bujqësisë duke i kushtuar vëmendje më të madhe konkurrueshmërisë, punës së denjë dhe zhvillimit rural.

Së fundmi, duke marrë shkas që mjedisi dhe ndryshimet klimaterike janë bërë tematikat kryesore jo vetëm në nivel global, por dhe lokal.

  1. Angazhimi i Shqipërisë në përmbushjen e OZHQ-ve

Angazhimi i Shqipërisë në përmbushjen e OZHQ-ve ka qenë në rritje, pavarësisht sfidave nga mjedisi politik i polarizuar, ngecja e reformave, korrupsioni, opozita e dobët etj. Sipas raporteve të OKB-së, Shqipëria në raport me shtetet e tjera është vlerësuar pozitivisht gjatë këtyre viteve. (Tabela nr. 1)[v]

Tabela nr. 1: Vlerësimi i Progresit të Shqipërisë nga 2016-2022

Viti

Renditja Pikët
2016 68/147 60.8/100
2017 63/157 68.9/100
2018 62/157 68.9/100
2019 60/157 89.7/100
2020 68/165 70.8/100
2021 64/165 70.1/100
2022 61/165 71.6/100

Burimi: SDG Index & Monitoring, Tracking progress on the Sustainable Development Goals[i]

Progresi ka qenë pozitiv nga viti 2017-2019, në veçanti viti 2019 ku Shqipëria e renditur në vendin e 60 nga 165 shtete me një vlerësim pozitiv në krahasim nga vitet e tjera.  Ajo çfarë vihet re në vitin 2020 dhe 2022 ka një rënie të vlerësimit si shkak i klimës politike në vend. Raporti i fundit i publikuar nga OKB-ja nëpërmjet SDG Index & Monitoring, Tracking progress on the Sustainable Development Goals për 2022 e rendit Shqipërinë në vendin e 61  nga 165 shtete me një progres pozitiv, por jo stabël nga viti në vit.

Raporti i publikuar nga Common Country Analysis 2020 by UN Country Team, Albania në analizën e saj identifikon për disa nga OZHQ-të sfidat dhe pengesat që çojnë në mospërmbushjen e tyre psh. lidhur me OZHQ-në 1 Varfëria, cenueshmëria dhe mbrojtja sociale raporti shpreh që vendi mbetet një nga vendet më të varfra në Europë, pasi që në vitin 2018 shkalla e rrezikut të rritjes së varfërisë ishte rreth 23% dhe 27% për familjet me shumë fëmijë. Problemi i vendit është punësimi joformal dhe shumë familje luftojnë për të plotësuar nevojat minimale të tyre. Ndërsa për OZHQ-në 2 Siguria ushqimore, ushqyerja dhe bujqësia e qëndrueshme, raporti identifikon se sektori agroushqimor karakterizohet nga mungesa e institucioneve të tregut, kanalet joefikase të shpërndarjes dhe ka mungesë për të përmbushur standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të cilësisë dhe sigurisë ushqimore. (fig. nr.1)

Figura nr. 1 Niveli i përmbushjes së OZHQ-ve

Burimi: SDG Index & Monitoring, Tracking progress on the Sustainable Development Goals. Sustainbable Development Report 2016-2021

OZHQ-ja 3 Shëndeti dhe mirëqenia e mirë vërehet se performanca e sistemit shëndetësor mbetet pas, ku sëmundjet e ndryshme jo transmetuese dhe aksidentet rrugore janë shkaktarët kryesorë të rritjes së vdekshmërisë së parakohshme. Gjithashtu pandemia nxori në pah paaftësinë e sektorit shëndetësor për të menaxhuar kriza të ndryshme shëndetësore.[i] Në vijim pavarësisht reformave në arsim ka pabarazi në aksesin e arsimit cilësor sidomos grupeve etnike në zonat urbane dhe rurale, fëmijët me aftësi të veçanta dhe romët përballen me barriera të shumta dhe diskriminim për ndjekjen e shkollës dhe shumë shkollave u mungon infrastruktura TIK, e cila tregon mospërmbushje të OZHQ-se 4 Arsimi cilësor.

Së fundi, OZHQ-ja 16 “Paqe, drejtësi dhe institucione të forta”, përbën një nga objektivat kryesore të agjendës, por raporti shpreh se përmbushja e këtij objektivi kërkon angazhim dhe bashkëpunim e mëtejshëm mes të gjithë aktorëve politik dhe jo politik në nivel lokal dhe kombëtar. Problematikë mbetet demokracia e dobët, mungesa e dialogut politik, nismat ligjore në kundërshtim me liritë civile dhe politike, shit-blerja e votës, mosgarantimi i sundimit të ligjit, transparencës dhe llogaridhënies, të cilat kanë vlerësim të ulët si shkak i ecurisë së ngadaltë në përmbushjen e reformave në fusha prioritare.[ii]

4. Konkluzione

Në përmbyllje të analizës konstantohet se Shqipëria ka bërë progres në kuadër të objektivave të Agjendës 2030 sepse vërehet përshtatja e objektivave në dokumentet strategjike kombëtare dhe të agjendës së integrimit europian si dhe vlerësimet nga OKB-ja. Por problematikë mbetet fakti që qeveria duhet të fokusohet më shumë në arritjen e objektivave specifike si arsimimi, punësimi, barazia, klima etj. për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm te vendit. Për të pasur një përmirësim lidhur me përmbushjen e OZHQ-ve të agjendës qeveria shqiptare mund të bazohet në këto linja zhvillimi si :

  • Rritja e bashkëpunimit mes aktorëve shtetërorë dhe jo-shtetërorë si shoqëria civile, biznesin, institucionet arsimore, akademikët, shoqëria etj.
  • Hartimi i një plani vjetor lidhur me zhvillimin e qëndrueshëm për vendin
  • Publikimi vjetor rreth arritjeve dhe sfidave të hasura në secilën prej OZHQ-ve
  • Rritja e investimit për përmbushjen e OZHQ-ve.

[i] https://sdgs.un.org/2030agenda

[ii]https://sustainabledevelopment.un.org/content/documents/21252030%20Agenda%20for%20Sustainable%20Development%20web.pdf

[iii] https://www.kryeministria.al/wp-content/uploads/2017/09/SKZHI_FINAL_QBZ.pdf

[iv]http://parlament.al/Files/Procesverbale/20210707140929Procesverbal%20Mb%20dt.%2010.7.2020.pdf

[v] https://www.unsdsn.org/sdg-index-and-monitoring?gclidçCjwKCAjwz5iMBhAEEiwAMEAwGDe_q9kRgjkZrrGN40qcpSQ-XxKgc-pQcRyMzSeNw-0qc847U0z_wxoC32IQAvD_BwE

[vi] https://dashboards.sdgindex.org/profiles/albania

[vii] https://albania.un.org/en/111493-albania-common-country-analysis-2020

[viii] https://doi.org/10.2139/ssrn.4110344