Dr. Petrina Broka —

Kur u kontaktova nga SCiDEV, për të qenë pjesë e organizimit të një debati për integrimin Europjan e pranova me shumë kënaqësi këtë mundësi. Kjo për shumë arsye, por këtu do të ndalem tek dy më kryesoret.

 

Arsyeja e parë, lidhet me vlerësimin tim ndaj aktiviteteve të këtij lloji, të cilat janë me shumë  vlerë në zhvillimin e debatit mes studentëve në përgjithësi dhe si një vlerë e padiskutueshme për studentët e drejtësisë. Kur kam qenë studente jam përpjekur që të marr pjesë në çdo iniciativë të ngjashme, pavarësisht se kanë qenë shumë më të pakta. Nga këto eksperienca, do të veçoja pjesëmarrjen në Konkursin Ballkanik të Rasteve Studimore (Balkan Case Challenge), në të cilin kam marrë pjesë dy herë, në Sarajevë e në Vjenë. Atje kam pasur fatin të bashkëpunoj dhe të debatoj me studentët më të mirë të Ballkanit. Një numër i konsiderueshëm prej tyre, sot japin kontributin në politikë, studio ligjore prestigjioze, në administratë publike, organizata ndërkombëtare, në botën akademike, etj. Eksperienca të tilla sigurisht, që të rrisin e të pasurojnë, si në aspektin profesional, ashtu edhe atë njerëzor. Të bëjnë të kuptosh, se ku je dhe ku dëshiron të arrish. Nëpërmjet të tilla aktiviteteve, ku padyshim njeh shumë njerëz të rinj, ti njeh më shumë edhe veten.  

 

Arsyeja e dytë, lidhet me gjendjen që po kaloni ju, studentët shqiptarë. Këto vitet e fundit kanë qenë për ju vite sfide, kërkese, protestash të mëdha, por edhe vite të arta që me siguri do të sjellin frytet e tyre dhe do të lënë shenja në histori. Semestri kalendarik, që lamë pas, ishte po ashtu një sfidë, ku na u desh të përballeshim me fatkeqësi natyrore si tërmeti i 28 nëntorit, i cili gjithsesi nuk e preu hovin e shumë prej jush për të mbushur auditorët dhe për të debatuar. Kjo ndoshta ishte terapia më e mire për të gjithë ne, për të kaluar edhe ankthin e atyre kohëve. Tani që po shkruaj, jemi sërish në një tjetër sfidë, pandemia e COVID-19. Megjithatë, ajo që mbetet e përbashkët në të gjitha këto situata të ndryshme është rëndësia themelore, që merr nevoja për një  kërkim e debat shkencor konstruktiv, si një mënyrë për t’u përballur me to dhe për ti dhënë zgjidhje këtyre situatave kaq të vështira.

 

E gjithë kjo periudhë u shoqërua edhe me ndërprerje mësimore, gjë që rrit nevojën e iniciativa të tilla jashtë-kurrikulare, për të kompensuar sado pak “humbjet” e shkaktuara, duke fituar aftësi dhe njohuri në një mënyrë alternative. Dhe pse jo, të na mundësojnë njohje të reja dhe eksperienca të reja edhe në këto kohë të vështira, ku distancimi fizik nga njëri tjetri është i një domosdoshmërie jetike, por që falë teknologjisë mund të kapërcehet, në pritje të ditëve më të mira.

 

Po ti referohemi Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe fjala debat do të thotë: “Rrahje mendimesh ndërmjet dy a më shumë vetave rreth një çështjeje politike, shoqërore etj.; diskutim i gjerë, i hapur për një çështje me rëndësi.”. Pra, të debatosh do të thotë të sjellësh argumente e të jesh në gjendje të kundërshtosh argumentet që të paraqiten, në mënyrë të qartë e të përmbledhur.

 

Kjo aftësi është e domosdoshme në çdo fushë të jetës, por për studentët e së drejtës e profesionistët e kësaj fushe është e një rëndësie tepër të veçantë. Debati për këta të fundit është një aftësi e domosdoshme, për të ushtruar profesionin e tyre me sa më shumë përgjegjësi, rigorozitet e profesionalizëm. Ky debat duhet të jetë sa më konstruktiv. Një specifikë, që ka debati i njerëzve të ligjit është se gjithmonë ai duhet të udhëhiqet nga e drejta, e cila duhet të jetë logjike, ligjore dhe e mirë-arsyetuar.

 

Një prej frazave, që u përsëris shpesh studentëve, si në leksione e seminare është ajo mbi domosdoshmërinë për të nxitur debatin dhe për të kontribuar në të, në mënyrë konstruktive. Prej tij fitojmë të gjithë, si ne pedagogët ashtu edhe studentët, si një vlerë e çmuar e shoqërisë sonë dhe si një forcë e madhe. Debatet që gjenerojnë në këto forume janë të domosdoshme dhe janë padyshim ndër debatet më të bukura dhe të vlefshme për rritjen tuaj profesionale. Janë të tilla debate, që do t’ju aftësojnë për rrahje mendimesh, qëndrimesh e interpretimesh edhe në situatat më të vështira. Këtu do të veçoja, debatin gjyqësor, ku ju studentët e drejtësisë do të duhet të përballeni me profesionistë, që mund t’ju vënë në vështirësi emotive, përveç atyre profesionale. Pikërisht, që të mund ti kaloni të tilla situata, në mënyrën më të mirë dhe më të lehtë të mundshme, duhet ti zhvilloni të tilla aftësi, që kur keni “privilegjin” të jenë student. Pra, për të përballur me sukses veprimtaritë profesionale të së ardhmes, duhen zhvilluar që herët aftësitë debatuese, që bashkëshoqërohen me punë të konsiderueshme kërkimore e përgatitje teorike e praktike.  Për të qenë në gjendje për të debatuar, duhet të kesh njohuritë e nevojshme mbi çështjen që po debaton. Për këtë, duhet të kryesh një kërkim më të thelluar për temën që debatohet, përtej atyre që mësohen në auditorë.

 

Konkurset e debatit i vendosin pjesëmarrësit nën trysninë për të qenë më të mirët, për të punuar më shumë, për të studiuar më shumë, për të sakrifikuar më shumë nga koha e argëtimit, në mënyrë që  të realizojnë objektivin e tyre. Pa dyshim, këto vështirësi do ti sjellin frytet e tyre në të ardhmen e afërt ku përballja me këto vështirësi do të jetë: për të siguruar apo mbajtur një vend pune, për të fituar një çështje gjyqësore, apo për të ndihmuar dikë në vështirësi.

 

Pjesëmarrja në debatet studentore të jep më shumë siguri për të paraqitur argumente dhe për ti strukturuar logjikshëm në debate të çdo situate. Këto aftësi do jenë të domosdoshme dhe të vlefshme, që në fazat e kërkimit të një pozicioni pune, si dhe  në ushtrimin e tij, në pozicione të ndryshme si: avokat, prokuror, gjyqtar, noter, jurist në administratë a ndërmarrje, etj.

Në kuadër të ndryshimeve të rrufeshme që po kalon bota jonë, ndryshimet gjeopolitike dhe ekonomike në rrafsh ndërkombëtar, ashtu edhe sfidat me të cilat përballet vendi ynë në drejtim të integrimit evropian, rritja ekonomike dhe sistemi ynë i drejtësisë, në kuadër të reformave që po ndërmerren; zhvillimi i aftësive debatuese dhe prezantuese marrin një vlerë të veçante në formimin e brezave të studentëve të sotëm dhe profesionistëve të së nesërmes.