Brikena Lena, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës —

 

[1]Islamofobia është një term që përshkruan armiqësinë irracionale, frikën, ose urrejtjen për islamin, myslimanët dhe kulturën islame si dhe diskriminimin e këtyre grupeve ose të individëve brenda tyre. Islamofobia shfaqet me veprime të tilla si sulme verbale ose fizike drejtuar vendeve të shenjta për islamin, ose njerëzve që i perksin kësaj feje, kërcenime dhe poshtërime online, politika dhe ligje që drejtpërdrejt ose tërthorazi shënjestrojnë myslimanët, të tilla si ndalime pë të mbajtur veshje ose simbole të dukshme të lidhura me fenë e tyre, diskriminim në edukim, punësim ose në marrjen e shërbimeve, stigmatizimi i myslimanëve nga gazetarë dhe politikanë, etj. Fakti që në BE jetojnë rreth 20 milionë myslimanë konsiderohet nga ksenofobët dhe partitë populiste si islamizim i Europës ose si pushtim nga feja islame.

 

[2]Më poshtë listohen disa incidente kundër myslimanëve, te cilët janë cënuar vetëm për shkak të besimit të tyre, siç evidentohen nga Raporti për Islamofobinë në Europë për vitin 2018 i publikuar nga Fondacioni për Studime Politike, Ekonomike dhe Sociale. Në Belgjikë u regjistruan rreth 70 raste të islamofobisë ku 76% e viktimave ishin femra. Në Austri u shënuan 540 raste në krahasim me 309 raste të regjistruara në vitin 2017. Në këtë shtet ka patur një rritje të akteve raciste antimyslimane prej afërsisht 74%. Në Francë janë regjistruar 676 raste të incidenteve islamofobe përkundrejt 446 rasteve në vitin 2017. Në harkun kohor prej një viti vërehet një rritje e këtyre rasteve me 52%. Mes 676 incideneteve, 20 ose 3% e tyre përfshinin sulme fizike, 568 ose 84% përbenin diskriminim dhe 88 ose 13% ishin gjuhë urrejtjeje. Në Gjermani pati 678 sulme duke përfshirë 40 sulme mbi xhami. [3]Sulmet mbi xhamitë arritën në 184 në vitin 2019. Në Hollandë 91% e 151 incidenteve që lidhen me diskriminimin fetar cënonin myslimanët. Në Angli dhe Uells krimet me motive fetare u rritën me 415% nga viti 2011 në vitin 2018, ku në pjesën dërrmuese viktima ishin myslimanët.

[4]Po ashtu raporti vë në pah se ka shumë pak mbulim pozitiv nga mediat per komunitetin mysliman në Europë dhe se urrejtja për islamin dhe myslimanët përhapet më së shumti nëpërmjet internetit. [5]Sipas Sondazhit për Diskriminimin dhe Minoritetet në Bashkimin Europian, te realizuar në vitin 2017 nga Agjencia e BE për Të Drejtat Themelore, [6]rreth një në tre myslimanë të anketuar vuajnë diskriminim kur kërkojnë punë, gjë që është shqetësuese, sepse të qenurit i punësuar ështe portë hyrëse për tu angazhuar në shoqëri. Po kaq shprehen se ndihen të paragjykuar ndërsa 27% e tyre kanë përjetuar një krim racist. Ata gjithashtu përballen me rreziqe që cënojnë sigurinë e tyre. Një në katër myslimanë ishin viktima të krimeve të urrejtjes një vit më parë dhe pothuajse gjysma e tyre përjetuan gjashtë ose më shumë incidente. Afërsisht gjysma e të anketuarve që ishin ndaluar nga policia vitin e kaluar pohuan se kjo ndodhte ngaqë ata ishin migrantë ose për shkak të prejardhjes së tyre si grup etnik monoritar. Të shënjestruar ishin kryesisht burrat myslimanë nga Afrika Veriore dhe Nënsahariane. Një situatë e tillë mund të shpjegojë arsyen se pse viktimat e krimeve të urrejtjes ngurrojnë te kallëzojne incidentet në polici. [7]Një studim i kryer nga Fondacioni Bertelsmann ne vitin 2017 dëfton se një në pesë gjermanë nuk do të donin një mysliman si komshi, ndërsa sipas një tjetër studimi, të kryer ne vitin 2016 nga [8]Rrjeti Europian Kundër Racizmit, islamofobia ndikon vecanërisht te gratë myslimane si për shembull te punësimi i tyre. [9]Myslimanët janë portretizuar si njerëz që duan të vecohen nga pjesa tjetër e shoqerisë.

 

[10]Magid Magid, ish anëtare britanike e Parlamentit Europian, në një shkrim per Euroaktiv ne janar te 2020, citon se më shumë se një në katër njerëz në BE nuk do të ndiheshin mirë nëse femija i tyre do të dashuronte një mysliman. Ajo shprehet se thënia e ministrit te brendshëm gjerman se imigracioni është burimi i gjithë problemeve si dhe politikat antiimigrim në BE janë qëndrime të maskuara të islamofobisë. Myslimanet janë fajësuar padrejtësisht për sëmundjet e shoqërisë dhe të parat që e vuajnë janë gratë myslimane që shprehin dukshëm besimin e tyre nepërmjet veshjes. Ish eurodeputetja pohon gjithashtu se liderët politikë krenohen me diversitetin kur në të njëjtën kohë promovojnë ‘menyrën europiane të të jetuarit’.

 

[11]Në Gjermani, gjykata, në një vendim të saj për rastin e një libanezi 40 vjecar, që jeton në Gjermani që prej vitit 2002, ka studiuar mjekësi dhe punon atje si mjek specialist, u shpreh se kush nuk u jep dorën grave, nuk mund të marrë nënshtetësinë gjermane. Ai pretendoi se i kishte premtuar së shoqes, një myslimaneje me nënshtetësi gjermane dhe origjinë siriane, që të mos i jepte kurrë dorën ndonjë gruaje tjetër. Libanezi shkoi në gjyq dhe gjykata vlerësoi se ai nuk pranon t’i japë dorën një gruaje ‘si rezultat i një konceptimi fundamentalist të kulturës dhe të vlerave’ dhe nuk pranon që t’i përshtatet mënyrës së jetesës në Gjermani. Dhënia e dorës të tjerëve sipas trupit gjykues ka rrënjë të thella dhe përbën bazën e bashkëjetesës mes njerëzve në Gjermani.

 

Në vitin 2018 qeveria në Danimarkë prezantoi një paketë ligjesh duke i quajtur ndryshe dhe si “paketa geto” që preknin lagjiet ku jetonin familje me të ardhura të ulëta dhe myslimane[12]. Kjo paketë parashikonte mes te tjerash 25 orë mësimi në javë për “vlerat daneze” enkas për femijët parashkollorë të këtyre komuniteteve. Kjo ka një impakt të fortë në jetën e këtyre familjeve, sepse i trajton ato si problematike dhe i përjashton nga grupi i të “qytetëruarve” për sa kohë atyre u duhet të ndjekin rregulla të ndryshme nga ajo e pjesës tjetër të shoqërisë.

 

Një tregues i prezencës së islamofobise në shkallë te gjerë është dhe fakti që në qytetin e [13]Barcelones është dashur të zbatohet një plan veprimi kundër islamofobisë. Ky rast është gjithashtu një shembull i përpjekjeve për të mposhtur fenomenin në fjalë. Në bazë të këtij modeli shtetet mund te marrin masa dhe të hartojnë strategji kombëtare.

 

Ashtu si njerëzit janë krijesë e natyrës, ashtu dhe feja është krijesë e njerëzve. Feja është në vetvete doktrinë nga e cila marrin jetë krijesa të tilla si Allahu apo Zoti, që janë në fund të fundit elemente abstrakte të cilave njerëzit u kane ngritur kult. Në emer të Allahut luftohet dhe po në emër të Allahut rrezatohet mirësi. Në emër të Zotit janë bërë tortura dhe po në emer të Zotit dhurohet dashuri. Ky është paradoksi që përndjek historinë njerëzore. Eshtë koha të dallojmë se çfarë është e drejtë dhe e gabuar. Është e drejtë që për shkak të ekstremistëve tu kundërvihemi myslimanëve? Myslimanët nuk janë ekstremistë dhe ekstremistët nuk janë myslimanë. Myslimanët e gëzojnë fenë për një jetë të harmonishme, ndërsa ekstremistët e përdorin atë për qëllime të gabuara politike.

 

Ngjarjet terroriste janë mjaft prekëse dhe lënë gjurmë në mendjet e qytetarëve. Thirrjet “Allahu Ekber”, që shoqërojnë krimet makabër dhe autorët e tyre janë të lidhur pazgjidhshmërisht me fenë islame dhe diktojnë në ndërgjegjen e atyre që nuk i njohin predikimet e kësaj feje idenë se ithtarët e saj sabotojnë paqen. Kësisoj perdorimi i islamit nga ekstremistët për të justifikuar aktet e tyre terroriste ka bërë që shumë europianë ta shohin islamin si kercënim dhe myslimanët si armiq. Vrasjet e papritura, me rrezikshmëri të lartë e mizore alarmojnë rendin e sigurinë, trondisin qetësinë publike, shkaktojnë panik në popullatë, përhapin frikë dhe traumatizojnë veçanërisht deshmimtarët dhe të afërmit e viktimave, të cilëve ndoshta nga presioni i kujtimeve të pashlyeshme të atyre çasteve të hidhura u lind një ndjenjë urrejtjeje dhe hakmarrjeje. Këto ndjenja dhe të tjera të ngjashme me to, duket se po fitojne terren gjithnjë e më shumë në rrafshin horizontal, që identifikohet me njerëzit në përgjithësi, dhe në rrafshin vertikal ku hyjnë politikbërësit, qeveritarët dhe kushdo që influencon në vendimmarrje në një shtet. Kjo ka arritur në një pikë aq kritike saqë tashme ka një ditë që është pagëzuar si Dita Europiane Kundër Islamofobise. Aktet e dhunës që mbajnë vulën e radikalëve islamikë pretendohet të legjitimojnë paragjykimin, diskriminimin dhe sakrifikimin e myslimanëve. Kjo bën që pesha e veprimeve të reaksionarëve te rëndojë dhe të penalizojë besimtarët e rregullt islamë, të cilët kontriubojnë në shoqëri ashtu sikurse qytatarët e rregullt europianë duke mundësuar zhvillim e mirëqenies. A është e drejtë kjo?

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

[1] https://www.opensocietyfoundations.org/explainers/islamophobia-europe

[2] https://www.aa.com.tr/en/turkey/anti-muslim-racism-in-europe-on-rise-in-2018-report/1597957#

[3] https://www.dailysabah.com/politics/pigs-head-placed-on-mosque-door-in-german-city/news

[4] https://setav.org/en/assets/uploads/2019/09/EIR_2018.pdf

[5] https://fra.europa.eu/sites/default/files/fra_uploads/fra-2017-eu-minorities-survey-muslims-selected-findings_en.pdf

[6] https://www.euractiv.com/section/freedom-of-thought/opinion/european-muslims-feel-part-of-europe-but-when-will-european-society-reciprocate/

[7] https://www.dw.com/en/muslims-integrate-well-into-germany-but-arent-accepted/a-40213828

[8] https://www.enar-eu.org/IMG/pdf/factsheet9-european_lr_1_.pdf

[9] https://www.enar-eu.org/IMG/pdf/factsheet9-european_lr_1_.pdf

[10]https://www.euractiv.com/section/freedom-of-thought/opinion/europe-has-an-islamophobia-problem-whos-going-to-stop-it/

 

[11] https://www.dw.com/sq/kush-nuk-u-jep-dorën-grave-nuk-mund-të-marrë-nënshtetësinë-gjermane/a-55316084

[12] https://www.euractiv.com/section/freedom-of-thought/opinion/eu-must-get-serious-about-tackling-islamophobia/

[13] https://ajuntament.barcelona.cat/bcnvsodi/en/against-islamophobia/