Prof. Asoc. Dr. Nevila Xhindi
Universiteti Mesdhetar I Shqipërisë

“Laboratori i Debatit Universitar – Nga fjala tek veprimi”, Edicioni IV, i zbatuar nga SCiDEV dhe mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, vazhdon traditën edhe këtë herë me fokus tek Arsimi i Lartë. Do të jetë shumë interesante të zbulojmë se cilat nga çështjet që lidhen me Arsimin e Lartë do të jenë pjesë e debateve të nxehta dhe argumentave të skuadrave të 12 Universiteteve qe do të marrin pjesë në këtë edicion.

…dhe çështje ka shumë…

Në këto ditë kur flitet aq shumë për largimin e të rinjve nga Shqipëria, për pamundësitë e tyre ekonomike e sociale për të vazhduar jetën e profesionin në vendin e tyre, mua më erdhi ndër mend dhe dua të ndalem pak në një nga prioritetet e Strategjisë Kombëtare të Arsimit 2021-2026, objektivi specifik nr 6: Ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë!

Ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë është një koncept relativisht i ri që ndërlidhet me mobilitetin e shtuar të studentëve, stafit akademik dhe fuqisë punëtore të kualifikuar.  Në 30 vitet e fundit, Bashkimi Evropian i ka dhënë shumë rëndësi mobilitetit të studentëve, stafit akademik dhe hulumtuesve, duke krijuar për këtë qëllim programe të veçanta si: Tempus, Erasmus+, Marie Curie, etj.

Ndërsa rëndësia e këtij procesi është rritur me kalimin e kohës, institucionet e arsimit të lartë përpiqen t’u përgjigjen sfidave të globalizmit me një shumëllojshmëri strategjish komplekse, si dhe me organizimin e një sërë aktivitetesh të krijuara në emër të ndërkombëtarizimit. Gjithkush brenda sektorit të arsimit të lartë, mund të japë një kontribut të çmuar në procesin e ndërkombëtarizimit. Promovimi dhe nxitja e një eksperience globale të të nxënit, që është cilësore, me shanse të barabarta për të gjithë, ndihmon në përgatitjen e të diplomuarve për të jetuar dhe kontribuar me përgjegjësi në një shoqëri përtej asaj shqiptare. Individët që përfitojnë nga shkëmbimet universitare ndikojnë në proces me një mori faktorësh të tillë si, identiteti personal, kultura, gjuha dhe eksperiencat e tyre unike, të cilat mund të pasurojnë dhe përmirësojnë mësimin, mësimdhënien dhe hulumtimin shkencor në Shqipëri. Kështu, përgjegjësia për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë, është përgjegjësi si e akademisë ashtu edhe e individëve. Ky proces ka rëndësi në krijimin e një arsimi të lartë të qëndrueshëm, në nivel kombëtar. Më pas, rrjedhimisht investimi në një arsim të lartë kombëtar cilësor, përkthehet në zhvillimin e vendit.

Mobiliteti falë programeve të shkëmbimit studentor është një nga aspektet e ndërkombëtarizimit. Erasmus+ është një program i BE i cili mbështet edukimin, sportet, trajnimet dhe zhvillimin e të rinjve. Kjo skemë ofron mundësi për njerëz të të gjitha moshave, duke i ndihmuar ata të zhvillojnë dhe ndajnë njohuritë apo përvojën e tyre institucione dhe organizata në vende të ndryshme. Përvoja ndërkombëtare e fituar përmes studimit, vullnetarizmit ose punës jashtë vendit jep një nxitje të madhe për vetëbesimin dhe pasurimin e CV-së, duke krijuar një avantazh për të qenë më i suksesshëm, në një treg pune që është global dhe konkurrues.

Në të vërtetë, gjetja e mënyrave për të çuar më tej zhvillimet që vijnë me ndërkombëtarizimin, duke zvogëluar rreziqet dhe pengesat, është bërë një sfidë e rëndësishme për sektorin e arsimit të lartë. Këto ndryshime të shpejta kërkojnë nga universitetet që strategjinë e ndërkombëtarizimit ta zgjerojnë edhe më tej, në bashkëpunime me universitete kombëtare, ndërkombëtare por edhe ndërkontinetale edhe në fusha si: diplomat e përbashkëta, mbështetja për ndërtimin e kapaciteteve, programet e përbashkëta të kërkimit, mundësitë për të studiuar në distancë etj. E gjithë kjo situatë çon në marrëveshje bashkëpunimi mes universiteteve, në ndryshimin e procesit të mësimdhënies sipas trendeve dhe zhvillimeve teknologjike, ofrimin e kurseve që mund të ndiqen nëpërmjet internetit, në formimin e shoqërisë së dijes – një shoqëri që është e përqëndruar në përhapjen e njohurive që ndikojnë në zhvillimin ekonomik-social të një vendi.

Ndërkombëtarizimi në arsimin e lartë prioritet? Po! Sepse vetëm kështu studentët e kanë më të thjeshtë të jenë më pranë Europës, aty ku aspirojnë të jenë pjesë.