nga Iris Beqiri —
*Seri artikujsh blog “Youth Debate: A call to integrity”
Viti 2020 ishte ndër më të vështirët në shumë aspekte. 2020-ta solli një sërë ngjarjesh të pakëndshme në të gjithë botën, të të gjitha llojeve. Gjithashtu, u shënua recesioni më i thellë ekonomik që pas viteve `30. Pandemia e Covid-19 është padyshim më kryesorja, duke iu referuar ndikimit në të gjithë kontinentet.
Sa i përket politikës, viti që lamë pas do të kujtohet për shumë ngjarje politike. Politika në 2020-ën përmban fjalët kyçe: protesta, sulme, krizë, zgjedhje, konlikte, etj. Në retrospektive, këto janë ngjarjet politike më të rëndësishme të 2020:
- Bashkimi Europian ka zyrtarisht një vend anëtar më pak. Brexit, largimi i Britanisë nga BE , ishte një ndër çështjet më të diskutuara.
- Vrasja e Gjeneralit iranian Qasem Soleimani nga një sulm ajror amerikan ishte një ngjarje e bujshme. Një sërë trazirash pasuan në ditët në vazhdim në Teheran. Tensionet midis Iranit dhe SHBA-së u shtuan.
- Në mars, Turqia njoftoi për sulme ndaj forcave qeveritare në Siri. Operacioni ushtarak nisi pas vrasjes së 34 ushtarëve turq.
- Në maj, pas 500 ditësh krize politike, në Izrael mori detyrën qeveria e re e unitetit. Nga dhjetori vendi ndodhet sërish në një gjendje kolapsi sepse po shkon në zgjedhje të reja.
- Shpërthimet e fuqishme në portin e Beirutit në Liban ishin edhe një arsye rishikimi të sistemit e dëmtuar politik libanez. Politikat klienteliste, kleptokracia dhe korrupsioni konsiderohen si probleme madhore.
- Në gusht, në Bjellorusi u mbajtën zgjedhjet presidenciale, që u konsideruan të manipuluara dhe jo demokratike. Presidenti Lukashenko mori detyrën për herë të gjashtë. Protestat dhe demonstratat vazhdojnë.
- Në Rusi, opozitari Alexei Navalny u helmua me agjentë nervorë. Kjo çoi në sanksionime nga BE dhe Rusia.
- Në shtator u njoftuam për një intensifikim të konfliktit të armatosur Nagorno-Karabakh. Kjo situatë e tensionuar e llojit territorial dhe etnik ishte shqetësuese jo vetëm për Armeninë dhe Azerbajxhanin, por edhe për botën.
- Protestat kundër qeverisë Kineze, në Hong Kong, vijuan edhe gjatë këtij viti. Në qershor u miratua një ligj i ri për sigurinë kombëtare. Kontestimet për të u shoqëruan me protesta dhe arrestime.
- Venezuela, që prej një viti, gjendet në një krizë presidenciale. Shteti nuk ka një president legjitim. Mbështetja ndahet mes dy kandidatëve: Maduro dhe Guaidó.
- Një konlikt i armatosur ka nisur nga nëntori në rajonin Tigray në Etiopi. Raportohet për masakra ndaj civilëve dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
- Për disa javë rresht, në SHBA u zhvilluan demonstrata e protesta, pas vrasjes së një 46-vjeçari me ngjyrë nga një oficer policie. Ngjarja me në qendër rracizmin tërhoqi vëmendjen e gjithë botës.
- Zgjedhjet presidenciale në SHBA përballën dy kandidatë: Donald Trump dhe Joe Biden. Biden fitoi më 51.3% të votave. Presidenti në detyrë ,Trump, nuk pranoi rezultatin e zgjedhjeve dhe kërkoi rinumërim të votave, por kjo nuk solli ndryshim.
- Zjarret që përfishinë rajone të caktuara në Australi dhe pjesë nga pyjet e Amazonës në Brazil shkaktuan dëme të mëdha mjedisore. Për këtë arsye, nga shtete të ndryshme është kërkuar rishikim i politikave mjedisore, që do të ndikojnë edhe të shëndeti i njeriut.
- Prodhimi i vaksinave anti-Covid ishte një ndër lajmet e mira të vitit të kaluar. Tanimë, në të gjithë botë, ndodhemi në një përiudhë planifikimi të politikave të vaksinimit dhe menaxhimit të tij.
Kjo është një përmbledhje e ngjarjeve politike që mund të konsiderohen si më të rëndësishmet nga viti i kaluar. Një pjesë e tyre nisën e përfunduan në 2020. Shumë të tjera do të vijojnë e zhvillohen edhe në 2021.