PROJEKTI

Rreth Debatit

Qëllimi

 

Qëllimi i Programit është të fuqizojë të rinjtë (gjimnazistët dhe studentët) për të qenë qytetarë proaktivë, të mirë-informuar dhe me mendim kritik e aftësi të të folurit në publik duke marrë pjesë në proceset vendimmarrëse në komunitetin e tyre si dhe në jetën publike.

Objektiva specifikë

 

Objektivat specifikë të programit janë:

  1. të konsolidojë kulturën e debatit, kultivimin e analizës dhe të menduarit kritik, etikën në komunikim, tolerancën dhe vlerat e qytetarisë aktive në Shqipëri tek të rinjtë në shkollën e mesme….

Rezultatet

 

  • Kultura e debatit e konsoliduar në 14 universitete duke sjellë përforcim të analizës dhe të menduarit kritik, etikë të lartë në komunikim, tolerancë dhe vlera të qytetarisë aktive mes studentëve dhe kërkuesve të rinj dhe nxitjen e debatit mbi një nga politikat 

Edicioni V i Laboratorit të Debatit Universitar

Në kushtet kur Shqipëria është në procesin e negociatave për anëtarësim, nevojitet që universitetet si prodhues të kërkimit shkencor dhe dijes dhe studentët si profesionistë të rinjë të përfshihen në mënyrë aktive në debatin për politikat zhvillimore të nevojshme që vendi duhet të ndërmarrë në shërbim të objektivave të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Pavarësisht së kësaj  nevoje, hapësirat e përfshirjes së studentëve në debatin publik mbi modelin zhvillimor të vendit janë të kufizuara, si rrjedhojë e mungesës së burimeve e vizionit nga institucionet dhe kapaciteteve të limituara të vetë të rinjve për t’u përfshirë në mënyrë efektive në debat.

Në këtë kuadër, Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) vijon traditën e konsoliduar të debatit universitar dhe ka kënaqësinë të lançojë Edicionin e pestë të tij.

Historiku i Debatit Universitar ndër vite

Laboratori i Debatit Universitar u zbatua për herë të parë në vitin 2019, në kuadër të Programit Kombëtar të Debatit Rinor për Zhvillim Social dhe Ekonomik të Shqipërisë, i zbatuar nga Liburnetik në gjimnaze dhe SCiDEV në universitete, me mbështetjen financiare të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.

Një vit pas edicionit të parë, Laboratori i Debatit Universitar u zgjerua duke shtuar krahas kompeticionit mes universiteteve edhe Fushatën “Nga Fjala tek Veprimi”, një  hapësirë ku studentët më të motivuar të programit të advokonin për ndryshime pozitive shoqërore pranë institucioneve përgjegjëse me mbështetjen e mentorëve dhe granteve të vogla.

Përjgjatë katër edicioneve SCiDEV ia ka dalë me sukses të:

  1. Shtrijë debatin universitar në 14 Fakultete dhe Uniersitete nga 5 qytete të ndryshme të Shqipërisë
  2. Trajnojë dhe përfshijë në debat më shumë se 500 studentë.
  3. Krijojë një blogun e debatit universitar, i cili përmban më shumë se 100 artikuj të përgatitur nga studentë e pedagogë.
  4. Mbështesë 34 studentë e aktivistë me mentorim dhe grante të vogla në kuadër të Fushatës “Nga Fjala Tek Veprimi”.
  5. Publikojë 9 dokumente politikash me perspektivë rinore ku janë mbuluar fusha si arsimi, digjitalizimi, qarkullimi i mendjes dhe frenimi i largimit të “trurit” si dhe infrastruktura si mjet për zhvillimin ekonomik të vendit.
  6. Zhvillojë për herë të parë Forumin e Debatuesve të Rinj, një platformë e cila përfshiu 30 aktivistë studentorë në draftimin e 4 propozimeve konkrete të cilat u prezantuan dhe u diskutuan me politikbërës nga pushteti qëndror e lokal, sektori i organizatave jofitimprurëse dhe i biznesit si dhe akademia.

Risitë dhe funksionimi i Edicionit V të Debatit Universitar

Në përvjetorin e pestë të tij, Debati Universitar do të zgjerohet në të gjitha qytetet e Shqipërisë të cilat kanë Institucione të Arsimit të Lartë. Edicioni i pestë hap dyert për herë të parë për studentët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan dhe “Eqeqrem Çabej” në Gjirokastër për t’u bërë pjesë e kompeticionit të Debatit Universitar. Në sinergji me shpalljen e vitit 2023 si viti europian i aftësive, tematikat e debatit universitar do t’i dedikohen rolit të shtetit dhe universitetit në zhvillimin e aftësive të profesionistëve të rinj me qëllim përshtatjen me dinamikat e shekullit XXI.

Në këtë edicion për herë të parë studentëve do t’ju jepet mundësia të aplikojnë në grup të përbërë nga tre debatues dhe të garojnë për të përfaqësuar Universitetin e tyre në kompeticionin e debatit universitar.

Skuadrat debatuese me aplikimin më cilësor do të përzgjidhen për t’u bërë pjesë e Debatit Universitar dhe do të:

  1. Marrin pjesë në Programin e Zhvillimit të Kapaciteteve, një cikël prej 3 trajnimesh dedikuar temave dhe formatit të debatit universitar në këtë edicion.
  2. Garojnë në nivel Fakulteti/Universiteti për të përfaqësuar Fakultetin/Universitetin e tyre në Maratonën e Debatit Universitar

Skuadrat e përzgjedhura si përfaqësuese të Fakulteteve/Universiteteve të tyre do të marrin pjesë në Maratonën e Debatit Universitar, ku do të përballen me skuadra nga universitetet/fakultetet e tjera pjesëmarrëse në program.

3 skuadrat me numrin më të lartë të pikëve të akorduara nga juria vlerësuese e debatit do të shpallen fituese të debatit universitar. Për skuadrat fituese do të akordohen çmime speciale si dhe do të përzgjidhen për të marrë pjesë në Fushatën “Nga Fjala Tek Veprimi”, ku do të fuqizojnë kapacitetet në kërkim shkencor dhe advokim, do të fuqizojnë ndërlidhje si dhe do të drejtojnë punimet e Forumit të dytë të debatuesve të rinj, ku propozime konkrete për fushën e arsimit, rinisë dhe punësimit do të hartohen dhe diskutohen me politikbërës, akademikë, përfaqësues nga shoqëria civile, media dhe biznesi.

Organizatat zbatuese të Programit Kombëtar të Debatit Rinor

Programi Kombëtar i Debatit Rinor mbështet nga OSFA dhe do të zbatohet nga Organizata Liburnetik dhe SCiDEV, secila organizatë me projektin e saj të debatit në vazhdimësi të traditës së krijuar tashmë të fokusuar përkatësisht tek gjimnazistët dhe tek studentët.

Liburnetik do të organizojë Re-Debate, Kampionati Kombëtar i Debatit për Shkollat e Mesme në bazë të formatit ‘IDEA’ duke përfshirë 20 shkolla të mesme publike dhe jo publike në nivel kombëtar në 11 qytete. Kjo organizatë punon me të rinjtë në shkollat e mesme në të gjithë vendin duke i fuqizuar ata përmes proceseve aktive të zhvillimit të mendimit kritik, etikës në komunikim, tolerancës së mendimit ndryshe dhe të folurën në publik.

SCiDEV do të organizojë projektin ‘Laboratori i Debatit Universitar – Nga Fjala tek Veprimi’ duke përfshirë 14 universitete në 5 qytete në Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër dhe Korçë. SCiDEV punon me studentët për t’i fuqizuar ata për të qenë të angazhuar në sferën publike përmes debatit si një instrument për aktivizimin e të rinjve si dhe përmes zhvillimit të aftësive kërkimore dhe advokimit të bazuar tek evidencat dhe të dhënat.

Rreth SCiDEV

SCiDEV (Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim) është një organizatë jofitimprurëse dhe jopartiake e cila ka për qëllim mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social si dhe demokratizimin e vendit dhe rajonit. Për realizimin e këtij objektivi SCiDEV, bashkëpunon me aktorë nga shoqëria civile, akademia, institucionet dhe biznesi. Katër shtyllat/fushat tona të veprimit janë:

  1. Demokracia dhe Qeverisja e Mirë
  2. Media dhe Komunikimi
  3. Fuqizimi i lidhjeve mes kërkimit shkencor dhe shoqërisë
  4. Inovacioni dhe transformimi digjital

Ky projekt realizohet me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipëri. OSFA ka një traditë të konsoliduar në zhvillimin e programit të debatit për të rinjtë në Shqipëri sidomos me shkollat e mesme. Aktualisht organizata Liburnetik po zbaton projektin “Re-Debate 5.0 – Rigjallërimi i kulturës së debatit” me fokus nxënësit e shkollave të mesme.
Për më shumë rreth OSFA: https://www.osfa.al/
Për më shumë rreth projektit me shkollat e mesme: https://www.liburnetik.org/redebate/